Rama dhe korrupsioni nuk rrezohen me orar shkolle!

Tryeza e organizuar sot nga PD dhe Sali Berisha, me pjesëmarrje të faktorëve opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ishte padyshim një nismë pozitive. Dialogu, koordinimi dhe hapja ndaj shoqërisë janë elementë të domosdoshëm për çdo opozitë që synon të jetë alternative reale qeverisëse.
Por pikërisht në këto momente, detajet e vogla zbulojnë probleme të mëdha.
Me beri pershtypje nje detaj “i vogel”: Ndër të ftuarit ishte edhe Florian Binaj, ish-kandidat i veteshpallur, por dhe i perkrahur nga opozita (PD) për kryetar bashkie në Tiranë, përpara se zgjedhjet të anuloheshin nga Gjykata Kushtetuese. Gjatë takimit, ai kërkoi me insistim fjalën, duke argumentuar se duhej të largohej për të marrë fëmijët nga shkolla.
Nje qasje e tille, ne nje takim kaq te rendesishem, është e papranueshme për një figurë politike që pretendon të jetë në vijën e parë të betejës opozitare.
Të jem i qartë: askush nuk mohon rëndësinë e familjes apo përgjegjësive personale. Por politika, sidomos opozitarizmi në një regjim të konsoliduar pushteti si ai i Rames, nuk është aktivitet me orar. Nuk është “nga ora 8 deri në 4”, dhe as “sa të mbaroj punët personale”.
Një kandidat për kryetar bashkie, një figurë publike që kërkon besimin e qytetarëve, duhet ta ketë të qartë se angazhimi është total, jo episodik. Qytetarët nuk e rrëzojnë qeverinë duke dëgjuar justifikime, por duke parë sakrificë, seriozitet dhe ndjenjën se dikush po lufton realisht për ta.
Mentaliteti “më presin fëmijët” në mes të një tryeze politike simbolizon pikërisht problemin që ka pasur opozita shqiptare prej vitesh: mungesën e ndjenjës së urgjencës historike. Rama nuk u ndërtua si pushtet me gjysmë-angazhime, dhe nuk rrëzohet me to.
Aksioni opozitar kërkon: sacrifice, kohë pa kufi, nerv politik, disiplinë, dhe një ndarje të qartë mes jetës private dhe misionit publik.
Nëse opozita vazhdon të prodhojë figura që e shohin politikën si aktivitet dytësor, atëherë humbja është e paracaktuar, pavarësisht retorikës apo tryezave.
Qytetarët kanë nevojë për njerëz që janë aty kur duhet, jo për ata që nxitojnë të ikin kur mbaron orari personal. Vetëm me një mentalitet më të fortë, më të ashpër dhe më të përkushtuar, mund të ndërtohet një opozitë që realisht sfidon dhe rrëzon pushtetin.
Në të kundërt, do vazhdojmë të kemi tryeza, deklarata, thirrje, buzëqeshjet e Gjuzit dhe dremitjet e Jenishehrit, por jo ndryshimin qe ështe kaq imperativ, dhe rikthimin e besimit e të shpresës.



