Rama dhe Veliaj prezantojnë projektet për parkun olimpik dhe zoologjik
Kryeministri Edi Rama dhe kandidati i majtë për Tiranën, Erjon Veliaj kanë prezantuar paraditen e së hënës planet për ringritjen e Parkut Olimpik dhe atij zoologjik të Tiranës.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama, ish-basketbollist, ka deklaruar se ndërtimi i Parkut Olimpik do t’u japë mundësi sportdashësve dhe federatave që të punojnë e të përfaqësohen në mënyrë dinjitoze.
“Në këtë park do të gjejnë hapësirat e tyre dashamirësit e sportit dhe federatat, që në 25 vjet kanë jetuar nëpër skuta, pa pasur një zyrë dinjitoze ku të mund të zhvillojnë punën e tyre dhe të përfaqësohen me dinjitet. Këtu do të gjejnë vend edhe kampionët e peshëngritjes dhe mundjes, që kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme, por që sot stërviten në kushte më të këqija se më parë”, ka thënë Rama.
Ndërsa kandidati Veliaj ka prezantuar planet për ristrukturimin e kopshtit zoologjik, që sipas tij është lënë në mëshirë të fatit si pasojë e degradimit të bashkisë.
“Nuk besoj që për fëmijët dhe prindërit e tyre ka surprizë më të bukur sot, më 1 qershor, sesa prezantimi i projektit për kopshtin zoologjik. Të gjithë e dimë se çfarë degradimi kanë pësuar administratat e bashkisë në 4 vitet e fundit, që e kanë lënë këtë kopsht në mëshirë të fatit. Siç më tha një i përndjekur, ky kopsht është “Spaçi i kafshëve”. Menjëherë pas 21 qershorit, ne do të shpallim një konkurs ndërkombëtar, me arkitektët më të njohur, për ndërtimin e kopshtit zoologjik të Tiranës. Ne do ta integrojmë atë me kopshtin botanik dhe Parkun e Liqenit”, ka deklaruar Veliaj.
Në këtë event kanë qenë të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ai i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.