Politika

Rama, e-mail ministrave: Jeni bërë arrogantë, ndryshoni ose…

“Me ju po tallen edhe ambasadorët. Unë nuk bashkëjetoj me këtë situatë”

Gjashtë muaj më parë, Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një letër ministrave të kabinetit të tij, duke iu bërë të qartë që, në rast se nuk lënë mënjanë arrogancën duhet të lënë “anijen”. Në email-in drejtuar në mars të këtij viti anëtarëve socialistë të kabinetit të tij qeveritar, Rama shprehet i ashpër lidhur me fenomenin e “arrogancës” që, sipas tij, i ka prekur në lidhje me njëri-tjetrin, me deputetët dhe me njerëzit. Pikërisht në këtë muaj është përfolur dhe për ndryshime në qeveri.
“Konstatoj me shqetësim, një shqetësim që ndiej se po kthehet në hidhërim, se po marrim pak nga pak në mënyrë të pandalshme tiparin e një pushteti arrogant në sjelljen me Tjetrin; e një pushteti njerëzish që po i dorëzohen lehtësisë së reagimit ndaj vështirësive, duke shpresuar këtë dorëzim në formën e vet primare, që është arroganca, mosvëmendja, nervozizmi dhe rrjedhja e lirë e marrëdhënieve me Tjetrin e një pushteti që fatalisht po merr trajtën e turkoshakëve e në sjelljen e ca njerëzve të vet me përfaqësues që jeni ju, secili ju!” – shkruan Rama. Në email duket një dëshpërim i Kryeministrit për “sëmundjen” që ka prekur kabinetin e tij. Sipas kreut të qeverisë, ministrat kanë humbur kontaktet me bazën dhe me deputetët dhe orët e entuziazmit të qeverisjes janë zëvendësuar me pasdite turkoshake në kafene, në dreka e darka të gjata. “Ndihet reflektimi i kësaj arrogance në raportin gjithnjë e më turkoshak me kohën, ku stresit e pagjumësisë së fillimit ia ka lënë vendin limontia rraskapitëse e lodhjes prej kotësive, drekave, darkave, muhabeteve dhe ruajna Zot, vëmendjes së shtuar për interesat e vogla. Por më e keqja e të këqijave, kjo arrogancë merr trajta të turpshme nën ju, përgjatë linjave të piramidës ku shkon duke u zgjeruar baza e sundimit otoman të arrogancës së pushtetit të vogël të njerëzve të vegjël pa dallim”, u shkruan Rama, ministrave. Dhe duke vijuar më tej në shprehjen e këtij shqetësimi, Kryeministri u kujton të tijve se me arrogancën ministrore po tallen së fundmi edhe ndërkombëtarët. “E pra, mësojeni përpara sesa të bëhet vonë, sepse së shpejti do të jetë vonë, që unë nuk bashkëjetoj dot me këtë situatë dhe nuk i honeps dot më reflekset e sjelljeve tuaja mbi njerëzit, që nga shqiptarët e deri te ndërkombëtarët që kanë nisur të bëjnë humor me arrogancën tuaj! Dhe nuk honeps dot më as që porositë e mia në këtë drejtim të merren si pjesë e mërzitshme e të qenët në një klasë, ku fjalët e zyshes i merr era! …”, shkruan Rama. Për të gjitha këto arsye, ai u kërkon ministrave të reflektojnë, pasi profili i qeverisë po deformohet dita-ditës. “Nuk pres përgjigje, por reflektim të thellë përmes një ndryshimi radikal të sjelljes dhe një pastrimi sa më të shpejtë të pasqyrës ku po deformohet dita-ditës profili i qeverisë sonë si rezultat i rënies në batakun e vetëmjaftueshmërisë idiote që i mbyt qeveritë nga brenda, nga brenda zemrës së çdo ministri, nga brenda trurit të çdo pjesëtari të ekuipazhit drejtimhumbur, nga brenda kabinave të institucioneve që vuajnë peshën e ujit të futur në zemër e në tru për së pari!”, shkruan Rama. Madje, ai shkon më tej në mesazh, teksa e cilëson situatën alarmante, e cila nuk ka të bëjë me humbje të durimit të tij për arsyet e thëna më lart. Dhe në këtë linjë, ai i fton që të heqin dorë nga sjellja arrogante ose të braktisin anijen ku kanë hipur. “Merreni këtë mesazh si një SOS, jo si një sosje të durimit tim prej ndonjë e disa arsyeve të pathëna më lart, sepse të tilla ju siguroj që nuk ka. Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe është turku që jeton brenda secilit prej jush: o mbyteni o përgatituni për të lënë anijen!!!”, shkruan Rama. Ai u kujton ministrave të tij se që në fillim të marrjes së detyrës i ka paralajmëruar nga rreziku që vjen prej arrogancës dhe se begenisja e gjithkujt është arma më e pazëvendësueshme për të vijuar luftën me ato që ai i cilëson si vështirësitë e këtij vendi. “Qysh në fillim të kësaj aventure të përbashkët dhe në vijim ju kam folur mbase jo aq shpesh sa është dashur për rrezikun numër 1 që na kërcënon ecurinë e punës sonë: arrogancën. Dhe jam munduar, mbase aq sa ka qenë e mjaftueshme, t’ju sensibilizoj lidhur me faktin se e kundërta e arrogancës, modestia në sjellje dhe sforcoja për të qenë të begenisur me këdo, duke filluar nga marrëdhëniet me njëri-tjetrin, pastaj me deputetët më tutje, jo për nga rëndësia, me njerëzit e çdo kategorie, është arma e pazëvendësueshme dhe në luftën e jashtëzakonshme me vështirësitë e këtij vendi, me mërzinë, lodhjen e stresin e njerëzve …”, thotë kreu i PS-së. Ndër të tjera, Rama u drejton një sërë pyetjesh ministrave lidhur me atë çfarë ndodh jashtë realitetit të arrogancës ku janë përfshirë. “Kë pyesni ju, nëse pyesni për mënyrën sesi ju shohin të tjerët dhe se si dukeni në kryerjen e detyrës suaj? Pyesni ata që ju gjenden rrotull sa nga meraku i paditur i të afërmve të përhershëm e sa nga interesi i strukturuar në skuthllëkun e afrimitetit koniunktural dhe me të cilët merrni nëpër gojë të tjerët, duke filluar nga njëri-tjetri, duke dhënë mendime të lira dhe të habitshme në peshën e tyre negative që pastaj marrin dhenë nëpër Shqipëri? Apo pyesni ata që punojnë me ju, të cilët janë më të parët që ju bëjnë copë dhe shpesh me të drejtë, kur u qëllon të flasin për mënyrën e drejtimit tuaj në rrethe të ndryshme?”, shkruan Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button