Rama, fjalim në OKB
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën përpara seancës së posaçme për zbatimin e Axhendës së zhvillimit post 2015, në Samitin e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri shqiptar vlerësoi axhendën ambicioze dhe transformuese për Zhvillim të Qëndrueshëm, që synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, si rruga për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global.
“Kjo axhendë e re, kurajoze, ambicioze e një transformimi global është angazhimi ynë që t’i çojmë njerëzit nga përjashtimi tek gjithëpërfshirja. Nga varfëria tek rruga e begatisë, nga pasiguria tek parashikueshmëria dhe zgjidhjet, për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur tek Shqipëria, kryeministri nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të shtetit, demokracisë dhe vlerave perëndimore. “Reforma në Drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët”, deklaroi Rama
“Ne jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara në vitet në vijim”, tha kryeministri.
Shefi i qeverisë shqiptare, në seancën në Samitin e Kombeve të Bashkuara, përpara të cilit një ditë më parë iu drejtua dhe Papa Françesku, nuk harroi të përmendë vlerën e harmonisë fetare në Shqipëri, si një cilësi e nënvizuar edhe nga ati i shenjtë në vizitën në Tiranë. Bashkëpunimi rajonal dhe përpjekjet e Ballkanit për t’u afruar me BE-në, ishin një tjetër pikë ku u ndal kryeministri Rama.
“Ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pranojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë”, tha Rama.