Rama-kuqezinjve: Mirënjohje për suksesin historik. Nisim punën për “Arenën Kombëtare”
Pas mbërritjes në Shqipëri të kombëtares kuqezi, tashmë me një sukses historik të jashtëzakonshëm dhe të ëndërruar prej brezash të tërë, kualifikimin në Euro 2016, kryeministri Rama, i cili i priti lojtarët edhe në Aeroportin e Rinasit, i shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kishte organizuar një ceremoni zyrtare pritjeje në Kryeministri.
Në fjalimin prekës të mbajtur përpara futbollistëve, Rama jo vetëm që lavdëroi heronjtë kuqezi për arritjen e pamenduar nga shumëkush, por të ëndërruar nga kushdo, hodhi poshtë zërat që kritikuan kuqezinjtë pas humbjes me Serbinë dhe tha se, cilido të ishte rezultati me Armeninë, ai sërish do t’i kishte pritur futbollistët aktualë me të njëjtën ceremoni pritëse.
E rëndësishme ishte edhe paralajmërimi i kryeministrit për ndërtimin e stadiumit të ri të Kombëtares, “Arenën Kombëtare” të Tiranës, për të cilën tha se kanë nisur punimet, pas një rakordimi të përbashkët me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
“Të dashur futbollistë, i shtrenjti kapiten dhe i dashur trajner. I nderuar president i FSHF-së. Më lejoni që përulësisht t’iu falënderoj me gjithë zemër dhe të shpreh mirënjohjen për arritjen tuaj historike. Ju kurorëzuat me sukses vrapimin më të vështirë dhe emocionues të karrierës dhe gjithë historisë së futbollit shqiptar. Deri dy vite më parë askush nuk guxonte ta shihte as me sy mbyllur, përvec trajnerit tonë që pas marrjes së nënshtetësisë ka pasur në mendje idenë e çmendur se mund ta ngjiste me kombëtaren kuqezi majën e frikshme të Europianit. Rikthimi i papritur i mallkimit të minutave të fundit, që pararendën ndeshjen e djeshme, i fashitën shumëkujt ëndrrën e djeshme. Madje disa u sollën keq me ju pas humbjes së beftë me Serbinë. Harruan se, sikur edhe deri aty të kishte zgjatur vrapi juaj, ju i kishit dhuruar shoqërisë shqiptare diçka që askush përpara jush nuk e imagjinonte. Një shqipëri të denjë, krenare, konkurruese që në grupin e vetë luftoi për të shkuar në finalet e Europianit. Asnjëri prej kundërshtarëve nuk krahasohej me ne, teknikisht apo nga talentet. Akush nuk do të guxonte të vinte bast për vendin e tretë, pale për kualifikimin. Harruan se ju kishit siguruar “play-off”-in shumë kohë më parë, gjë që edhe shumë ekipe të mëdha nuk e kishin bërë ende. U lëshuan me fjalë të shumta kundër jush me mllëfe dhe akuza. Kush nuk e ka veshur asnjëherë fanelën kuqezi, nuk e kupton peshën e rëndë të përgjegjësisë, që ajo fanelë sjell mbi kokat tuaja. Barrën e tmerrshme që keni mbajtur vetëm ju e dini, përballë erërave që sa vinin e bëheshin edhe më të fuqishme, deri në stuhi, saqë ju rrëzoi dy herë në fund në minutat shtesë të dy takimeve radhazi. Nuk do ta harroj kurrë dhomën e zhveshjes pas ndeshjes në Elbasan Arena, me kokat e fshehura dhe trupat e ngrirë, britmat e trajnerit dhe vështrimin e kapitenit. Ishte momenti dramatik i vetmisë në rrugën e mundimshme pranë majës. Në fakt fati është me ata që nuk dorëzohen dhe sfida juaj pas humbjes therrëse ishte pikërisht me vetveten tuaj. Ose do ta fitonit ju, ose do ta humbisnit ju. Gjithçka varej nga forca që do të gjendnit brenda jush pas braktisjes që patët një ndeshje më parë. Unë ndihem shumë me fat që mu dha mundësia të jem mes jush, ndaj dhe dua t’iu uroj për fitoren e brendshme. Këtë ceremoni e kisha përgatitur pavarësisht nga rezultati. Sot rrugët janë plot dhe përsëri do të ishim këtu po të kishim humbur dje. Edhe sikur të mos ia kishit dalë në këtë arritje të paprecedent, kjo kombëtare do të ishte në majën më të lartë të historisë së futbollit shqiptar, sepse si kurrë më parë ju e bëtë Shqipërinë dhe shqiptarët të preknin ëndrrën e daljes në në Europian. Ju fituat, barazuat e humbët, u ngjitët, u rrëzuat dhe u ringjitët, duke shkruar një faqe të lavdishme në histori. Çfarëdo që të ndodhte mbrëmë, sot do të jepja për ju se kemi vendosur së bashku me presidentin Duka se kemi nisur punën për ndërtimin e stadiumit të ri të Kombëtares kuqezi. “Arena Kombëtare e Tiranës” do t’iu dedikohet juve. E bëmë “Elbasan Arenën” për të gjetur në strehë, sepse ju duhej për të mos luajtur ndeshjet diku tjetër. “Loro Boriçi” do të ishte gati për ndeshjen me Serbinë, por UEFA kërkoi që ndeshja të luhej në Elbasan për arsye të sigurisë së rreptë. Tashmë mendos se stadiumi kombëtar, edhe më i madh se këta të dy, është një detyrim për ju. Sot kryeministri i Italisë Matteo Renzi më shkroi një mesazh: Rroftë Shqipëria që hyri në Europën e futbollit, tashmë ju presim edhe në Europën politike, gjë që sigurisht kërkon të tjera sakrifica”.