Rama: Kush shet naftë jashtë standardeve, ndëshkohet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike prezanton rezultatet e skemës lehtësuese të pagesës së borxheve të energjisë elektrike.
Në këtë aktivitet, ku i pranishëm është Kryeministri Edi Rama, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, administratori i përgjithshëm i OSHEE-së Adrian Cela tha se përmes skemës, të gjithë debitorët patën mundësinë të lidhin kontrata për të shlyer njëherësh borxhet duke përfituar 80 % falje të kamatëvonesës
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se në qendër të vëmendjes të reformës energjetike është disiplina financiare, një kulturë e re pagese që të kemi furnizime të qëndrueshme dhe të krijohet hapësira për investime.
“Sektori i energjisë ka mundësi të mëdha për investime. Shembulli i këtyre muajve është se kur ka vullnet qeveritar, edhe fenomeni i vjedhjes së energjisë elektrike që ishte kthyer në një simptomë po shmanget pak e nga pak”, tha Gjiknuri.
Kurse ministri Tahiri u shpreh ndër të tjera se nuk ka asgjë më të rëndësishme në një vend, se sa Policia të punojë për të vendosur barazinë para ligji për një produkt, që është pasuri e qytetarëve.
“E para garantojmë pasuritë e shqiptarëve dhe e dyta sanksionojmë një standard që nuk mund të kthehet mbrapsht”, tha Tahiri.
Kryeministri Rama, shfrytëzoi këtë takim për të njoftuar nisjen e një operacioni të ri, që e quajti ‘operacionin antikrim në sektorin e naftës’.
“Kush i shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer brenda kornizës së parashikuar në ligj. Operacion antikrim në sektorin e naftës do të jetë frontal do të shtrihet nga pikat hyrëse në dogana tek çdo pikë nxjerrje të naftës, deri në çdo pikë shitjeje në territorin e Shqipërisë. Nuk do të ketë më asnjë tolerim”, tha Rama.