Politika

Rama: Marrja e eurobondit, tregues i përmirësimit ekonomik

Në një takim me Dhomën e Tregtisë dhe Shoqatat e Biznesit, kryeministri Edi Rama deklaroi se marrja e eurobondit është një tregues i qartë i përmirësimit ekonomik të vendit.

“Përfunduam me sukses operacionin e Eurobondit dhe fakti që tregjet u përgjigjën me pozitivitet është përgjigja më e mirë për të gjitha pretendimet se ekonomia nuk po ecën mirë dhe se financat nuk janë të shëndetshme. E kundërta është e vërtetë. Pikërisht se po bëjmë reformën e duhur dhe se ekonomia po jep sinjale të qarta rritjeje të qëndrueshme, përgjigja ishte edhe më e mirë nga ç’e parashikonim”, u shpreh Rama.

Qeveria shqiptare siguroi 450 milionë euro borxh me afat 5-vjeçar nga emëtimi i Eurobondit në tregjet ndërkombëtare. Interesi mesatar me të cilën është marrë borxhi, ka rezultuar 5.75 përqind.

Në lidhje me operacionin kundër informalitetit, Rama nënvizoi se po merren rezultate mjaft inkurajuese që tregojnë se kjo është e vetmja rrugë për shpëtimin e ekonomisë: “Ankesat janë mendësia e së kaluarës. Ne do të veprojmë me agresivitet për t’u ndarë nga e kaluara informale. Biznesit legjitim po i krijojmë hapësirën e konkurrencës së lirë, duke e mbrojtur nga konkurrenca e pandershme”.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se aksioni kundër informalitetit “nuk ka pasur asnjë rëndesë te biznesi i vogël”.

“Vetëm 2.8% të gjobave kanë qenë për të vegjëlit. Gjithashtu, nuk ka pasur arbitraritet të administratës tatimore. Formalizimi i biznesit ka përmirësuar klimën e të bërit biznes”, theksoi Ahmetaj.

Ministri shtoi se “beteja kundër informalitetit është betëjë kundër pabarazisë”.

Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se ky aksion do të vazhdojë dhe koha do të tregojë të mirat e kësaj reforme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button