Ekonomia

Rama merr “frenat” e qeverisë, urdhër për blerjen e energjisë elektrike

Pas bllokimit që i bënë ministrat teknikë blerjes së energjisë elektrike, kreu i qeverisë firmosi sot një vendim ku urdhërohej blerja e energjisë elektrike për të nxjerrë vendin nga rreziku i mbetjes pa drita për shkak të thatësirës së stinës së verës.

VENDIM

Nr. 483, datë 5.7.2017

PËR BLERJEN E ENERGJISË ELEKTRIKE NGA SHOQËRIA “KESH”, SH.A., NË ZBATIM TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË LIDHUR NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, NË PËRMBUSHJE TË DETYRIMIT E SHËRBIMIT PUBLIK NË KUSHTET E NJË VITI TË PAFAVORSHËM HIDRIK, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.244, DATË 30.3.2016,

TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.170/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike”, dhe të nenit 47, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria “KESH”, sh.a. për përmbushjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal në kushtet e një viti të pafavorshëm hidrik. Blerja e energjisë elektrike të bëhet në zbatim të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, në varësi të nevojave dhe për aq sa e lejon vlera e fondit të akorduar nga kjo marrëveshje huaje.
  2. Procedura që do ndiqet nga shoqëria “KESH”, sh.a. për blerjen e energjisë elektrike do të jetë në përputhje me parashikimet e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike.
  3. Në fund të pikës 3, të nenit 5, në tekstin që i bashkëlidhet vendimit nr.244, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Në raste përjashtimore dhe situata të pafavorshme hidrike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë që sasia e nevojshme e energjisë për përmbushjen e kërkesave të klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit të sigurohet në tregun e parregulluar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga shteti.”.

  1. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe shoqëria “KESH”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button