Rama ndan pamje nga takimi me Von der Leyen: Përgatitemi për të filluar mbylljen e kapitujve. Presidentja e KE: Shqipëria, ecuri mbresëlënëse
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook momente nga pritja e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, në nisje të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit, Rama tha se Shqipëria po përgatitet për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar se synimi është që një pjesë e këtij procesi të përfundojë para fundit të këtij viti.
“Përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht, me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e cilësuar këtë një prej pikave të pandryshueshme të agjendës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë përparim në këtë drejtim, ndërsa shtoi se “nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”. Në fjalën e tij, Rama nënvizoi gjithashtu se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është i dyanshëm dhe se vetë BE-ja duhet të përgatitet për anëtarësimin e vendeve të reja.
Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
“Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë dhe përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Europën në zemër”, tha von der Leyen, duke shtuar se shqiptarët kanë punuar fort për ta kthyer në realitet aspiratën evropiane të vendit. Presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë “duket në horizont”, ndërsa e cilësoi vendin ndër kryesuesit në procesin e anëtarësimit. “Shqipëria sërish ka bërë një ecuri mbresëlënëse. Anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë Bashkimin Evropian më të fortë”, u shpreh von der Leyen. Pas Shqipërisë, presidentja e Komisionit Evropian vijon turin e saj në Ballkanin Perëndimor me vizita në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.