“Rama” ndez debatet edhe te Kultura, Zhupa përmend dosjet e SPAK dhe librin e arkitektëve, socialistët reagojnë: E dinim
Zhvillimet e fundit politike dhe agjenda e kryeministrit Edi Rama mbizotëruan edhe sot në mbledhjen e Komisionit të Kulturës.
Këtë herë, tema të paktën dukej më e përshtatshme, pasi kryetarja Ina Zhupa komentoi pjesëmarrjen e kreut të qeverisë në Samitin e Turizmit në Bruksel një ditë më parë.
“Pashë një kryeministër që me trup ishte para gazetares, por me mendje ishte duke lexuar dosjet e SPAK-ut sa herë i ka dalë emri, sa herë përflitet për takimet e tij dhe mesazhet me Vlora Hysenin, Ergys Agasin, me të gjithë grupin e strukturuar kriminal”, tha Ina Zhupa.
Zhupa ishte edhe më e përgatitur, me vete kishte marrë librin e famshëm “Albanian Files” (Dosjet Shqiptare) me projekt-idetë e arkitektëve të huaj, për të cilin PD ka bërë edhe kallëzim në SPAK.
“Mendova se do e kishte marrë me vete librin te strategjia e turizmit, por ka frikë se është dosje SPAK-u. I rëndonte ndërgjegjen po ta mbante në dorë”, tha Ina Zhupa.
Kundërpërgjigjen e mori nga nënkryetari Erion Malaj dhe anëtarët e tjerë socialistë.
“Nuk e vija në diskutim që ju do vendosnit kasetën, përsërisni të njëjtat gjëra. Por ju them se unë nuk përfaqësoj 800 mijë shqiptarë që votuan PS. Kjo narrativë se kryeministri nuk është në lartësinë e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë në një event turizmi, nuk qëndron”, tha Erion Malaj.
“Mos na e qani hallin ne, ne jemi këtu për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Briseida Çakërri.
Ndërsa deputeti shkrimtar Loer Kume zgjodhi metaforën për të kundërshtuar qëndrimin e opozitës.
“Sot kanë dritën e skenës dy entitete, i pari është drejtësia që vazhdon punën e saj, i dyti, shkrimtarët që ndahen në shkrimtarët të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj që merren me idetë e të nesërmes”, tha Loer Kume.
Reagimi i menjëhershëm nuk mungoi nga kryetarja Zhupa.
“Ka dy lloj politikanësh. Mediokër që mendojnë për zgjedhjet e radhës dhe ka politikanë të mëdhenj që mendojnë për gjeneratat e radhës”, tha Ina Zhupa.
Pas 30 minutash debat, në Komision vijoi diskutimi sipas rendit të ditës, për projektligjin për të drejtat e autorit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.