Ekonomia

Rama në doganën e Durrësit, çelet kanali jeshil për lehtësimin e kontrollit doganor

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, inspektoi sot doganën e portit të Durrësit, për të parë në terren zbatimin e kanalit jeshil, ose quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor, e cila është një procedurë tejet lehtësuese për bizneset.

DSC_0717Kanali jeshil mundëson disa përparësi për komunitetin e biznesit. Ndër to, më kryesorja është ulja e kostove dhe reduktimi i kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangia e çdo barriere administrative, si dhe shmangia e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit.

“Një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në funksion të vizionit për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti”, e konsideroi kryeministri.

Kryeministri Rama theksoi se, kjo do të shërbejë për t’i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të vizionit tonë për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti. Nga ana tjetër për t’i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve. 10 minuta punë për të mbaruar punë, pas një epoke ku në letra minimumi ishte 3 orë, por në realitet shkonte dhe tre ditë. Një mënyrë për të shpërblyer mundin, djersën, sakrificat, dhe njëkohësisht raportin korrekt me ligjin, të gjithë atyre sipërmarrjeve shqiptare që janë torturuar nëpër dogana dhe janë torturuar përballë gjithfarëlloj hajdutësh dhe sekserësh. Kjo është një epokë e mbyllur. Epoka e re që kemi hapur do të vazhdojë të sjellë risi në funksion të lehtësimit total të tregtisë në këtë vend, për eksportuesit dhe importuesit, për të gjithë ata që nuk kanë kohë për të humbur në doganë, pasi kohën e kanë të çmuar dhe me kohën e tyre krijojnë vende pune, krijojnë mirëqenie për të gjithë të tjerët”, tha Rama.

Ndërsa Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se, përfitimi i thjeshtimit të kësaj procedure është i përbashkët, si për bizneset ashtu dhe për doganat, por duke mos neglizhuar për asnjë çast zbatimin e përpiktë të ligjit.

“Përzgjedhja e biznesit për kanalin jeshil ose jo, ka të bëjë shumë me dokumentacionin, por është automatike, pra nuk është përzgjedhje njerëzore, duam këtë apo atë. Pra, biznesi përfiton në kosto, në barriera, në kohë, që është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe dogana përfiton se në vend që të merret me të gjithë kontrollet siç bën sot, 100 % kontrolle, do të ulet në mënyrë të dukshme numri i kontrolleve. Përfitimi është i përbashkët, marrëdhëniet e përfitimit janë të përbashkëta, por po bashkërisht duhet të mirëkuptojmë njëri-tjetrin që të zbatojmë më rreptësi ligjin që është një kërkesë doemos që e kërkon publiku, e kërkon koha që ne të jemi europianë, por me zbatim të plotë të ligjit në luftë kundër korrupsionit dhe veprimtarisë informale”, theksoi Cani.

Ndërkohë Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali theksoi se, kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset.

“Sot është dita Ndërkombëtare e Doganave. Ne kemi pilotuar për herë të parë në doganën shqiptare kanalin jeshil ose përzgjedhjen pa kontroll doganor, siç quhet ndryshe. Këtë na e mundëson Kodi i ri Doganor që në nenin 2 të tij përcakton ekuilibrin, që dogana duhet të ruajë midis kontrollit doganor dhe lehtësimit të tregtisë nga ana tjetër. Është e domosdoshme të theksohet se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset. Nga roli i kontrollorit apo përndryshe policit, që dogana ka pasur për shumë vite në kontroll, tani ka kaluar në rolin e partnerit të biznesit dhe thjeshtimit të procedurave doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë së ndershme, por nga ana tjetër, dhe sofistikimit të mënyrave për kontrollin e tregtisë së paligjshme. Kanali jeshil ka disa avantazhe që janë avantazhe të dukshme dhe të qarta për komunitetin e biznesit. E para dhe kryesorja është ulja e kostove dhe ulja e kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangia e çdo barriere administrative që bizneset kanë në lidhje me doganën dhe kryesorja shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit”, u shpreh Spiropali.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button