Rama në Lushnjë, shpërndan 590 leje legalizimi: Eshtë fat për ju që keni Braçen deputet
Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Lushnjë ku ka shpërndarë leje legalizimi për qindra banorë. Rama deklaroi se qeveria është e vendosur të mbajë zotimin e saj përmes paraqitjes së punonjësve të ALUIZNI-t tek qytetarët.
Kryeministri foli edhe për Divjakën, për të cilën tha se janë dhënë një pjesë e lejeve të legalizimit për aktivitete prodhuese. Rama tha se është “fatkeqësi” për të që Erion Braçe është deputeti i zonës, pasi zhurmat që vijnë nga Lushnja janë në disproporcion me qarqet e tjera.
“Në Divjakë u dhanë 5 legalizime në 8 vjet. Ndërkohë që sot ne do të japim një sërë leje legalizimi që janë për aktivitete prodhuese, jo për motele, lokale në mes të rrugës, jo për biznese që cenojnë projekte të infrastrukturës, por aktivitete prodhuese bujqësore. Legalizimi nuk është vetëm në interesin e secilit prej jush por në interesin e ekonomisë kombëtare. Është fatkeqësi për mua që kjo zonë ka Erion Braçen deputet. Fat për ju sepse keni një përcjellës të shpejtë të çdo ankese që keni. Për mua është fatkeqësi sepse zhurmat që vijnë nga kjo zonë janë në disproporcion që më vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë. Lum si ju që ju ra Erioni dhe mjerë ne që duhet ta dëgjojmë Erionin”, tha Rama.
Nga ana tjetër deputeti Braçe me modesti është shprehur se nuk ka bërë asgjë më shumë se deputetët e tjerë.
“Nuk bëj ndonjë gjë më shumë se deputetët e tjerë apo kreu i ALUIZN-it. Ky proces ka zgjatur aq shumë sa nuk ja vlen të flasësh. E vetmja gjë me rëndësi që ju të merrni lejet”, tha ai.
Sërish Rama ka deklaruar se “Erioni ka bërë më shumë zhurmë se deputetët e tjerë” dhe më pas i ka dhënë 13 leje legalizimi një fermeri nga Divjaka.
“Kam lejet për 13 objekte që janë pikërisht për aktivitete prodhuese bujqësore dhe do të kisha dëshirë ti thërrisja këtu të gjithë ata që do të marrin këto leje. Sokrat Todi Shani. Ndërtuesi më këmbëngulës në Republikën e Shqipërisë sepse ka ndërtuar pa u lodhur për punën e ndershme të fermerit dhe nuk ka zaptuar pronë të të tjerëve”, tha Rama.
Ndërsa një tjetër banor i Lushnjës ka marrë lejen e legalizimit ka thënë se gjatë prishjes së një objekti kulture e ka parë kreun e ALUIZNI-t, Artan Lamen me lot në sy. Por kryeministri Rama ka shpotitur duke thënë se “Për mua Lame është i pashpirt, më duhet ta rishikoj nga këndvështrimi juaj”.