Politika

Rama në takimin vjetor me gazetarët: Greqia partner strategjik, negociata për të mbyllur kapituj që nga ligji i luftës

Greqinë ne e duam një partner strategjik dhe negociatat me vendin fqinj janë shumë serioze.

Kështu deklaroi të premten kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale për shtyp në fund të vitit me gazetarët.

“Ne negociatat i kemi dashur, por jemi ulur dhe po negociojmë gjëra që deri dje as mund të mendohej se mund të negocioheshin për shkak të servilizmit qesharak të politikës këtu në Tiranë ndaj fqinjëve”, tha Rama.

Përsa i përket varrezave greke, Kryeministri u shpreh se është thjesht dhe vetëm zhbllokimi i një procesi të dakordësuar nga qeveria e mëparshme”. “Është një proces i dakordësuar që zhbllokohet”, tha Rama.

Greqinë e dëshirojmë partner strategjik, shtoi kryeministri, duke theksuar se e kemi pasur në programin tonë trekëndëshin e partneritetit strategjik me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. “Jemi shumë të inkurajuar nga fakti që po negociojmë. Është negociatë reale nga grupe ekspertësh, negociatë intensive. Raundi tjetër do të jetë së shpejti në Shqipëri për të mbyllur kapituj që nga ligji i luftës një absurditet, por që ka pasur një fuqi të madhe në një aspekt shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve që ka të bëjë me pronat. Kjo është një arsye për të vlerësuar qasjen tonë të re me politikën e ardhshme, jo në linjat kryesore por në mënyrën e sjelljes dhe qëndrimit ndaj të tjerëve”, tha Rama.

Në aspektin rajonal, ai përmendi rastin e Maqedonisë, ku sipas Ramës, po bëhet normë ligjore ajo që nuk mund të imagjinohej deri dje, gjuha shqipe.

Nënshtetësia e Kryepeshkopit Janullatos, akt i vonuar  

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur për marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga Janullatos, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “ka bërë shumë mirë Presidenti që i ka dhënë nënshtetësinë Kryepeshkopit”.

“Unë besoj që është një akt  i vonuar dhe i cili pajton dhe nuk ndan. Kjo është vërtetë ana pozitive e këtij akti. Natyrisht që figura e Kryepeshkopit është e ngarkuar me një simbolikë të rëndë, në kuptimin e peshës, simbolikë komplekse, por të mos e harrojmë asnjë herë që ai ishte drejtuesi i një procesi rilindjeje nga hiri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, tha Rama.

Shqipëria, shtoi kryeministri,  nuk e kishte dot në atë moment të parë Fan Nolin e vetë. “Në këtë fazë tranzicioni, sepse nuk e konsideroj pikë mbërritje të Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepeshkopi ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, edhe pse me të, jo gjithmonë kemi ndarë të njëjtat pikëpamje. Kompleksiteti i kësaj lidhet me faktin se me vendin fqinj janë të lidhura shumë fate dhe cilësia e jetës dhe mirëqenies së popujve tanë dhe kjo ka ndikuar nganjëherë negativisht dhe padrejtësisht mbi figurën e Kryepeshkopi”, tha Rama, duke shprehur bindjen se Presidenti ka bërë gjënë e duhur në këtë rast.

Votimi në OKB, Shqipëria voton si BE-ja

Kryeministri Edi Rama i dha përgjigje të premten edhe debateve të ngritura në vend pas votimit të Shqipërisë në OKB. “Shqipëria voton si BE-ja dhe ky vendim ju është bërë i qartë të gjithëve”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama “ne kemi mbajtur qëndrimin që Shqipëria ka zgjedhur para se ne të vinim në qeveri, të cilin e konsiderojmë zgjidhje të drejte, koherente dhe racionale”.

Ky qëndrim i Shqipërisë, sipas tij, është i përcaktuar në rezolutën që ka votuar Shqipëria në vitin 2012, atëherë kur u votua për të dënuar pushtimin e territoreve palestineze. Vota jonë edhe atëherë ishte e ndryshme me atë të SHBA-ve.

Reagimet në vend, kryeministri Rama i quajti të pabaza. “Jemi në një katund politik e mediatik dhe që në mes të katundit nuk është monumenti i lirisë, por një kazan. Ky debat nuk zhvillohet në asnjë nga 100 e ca vendet që votuan ndryshe nga SHBA-të, madje nuk zhvillohet as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm ne këtu jemi të shqetësuar se çfarë i ndodhi Amerikës”, u shpreh Rama.

Ndërsa votën kundër qëndrimit të Bashkimit Evropian të disa vendeve anëtare të BE-së, Kryeministri Rama e komentoi si qëndrime për arsyet e tyre.

“Disa vende nuk i qëndruan kësaj linje. E bënë për arsyet e tyre. Ka vende në BE që bëjnë politikë kundër BE-së. Kanë konflikte me vet BE-në. Ne s’ jemi nga ato vende”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se e kishte të qartë pozicionin e Shqipërisë në glob dhe se nuk kishte iluzione për fuqinë dominante në hartën e botës. “Ka politikanë që se kanë të qartë sa e madhe është Shqipëria në hartën e botës”, u shpreh Kryeministri.

Të tillë politikanë, Rama i cilësoi si qesharakë. “Reagimet janë prej politikanësh qesharak, kapedanësh të katundit që ju duket vetja se mbajnë botën në kurriz dhe se bota i shikon. Lexoni “Vitin e mbrapshtë”, të Kadaresë dhe i keni të gjitha aty”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button