Rama: PD vijon avazin, qeveria jo më cirk përmbytjesh
Kryeministri Edi Rama ka reagur në rrjetin social Twitter lidhur me deklaratat e Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha sot në jug të vendit, tek zonat e përmbytura.
Kreu i Ekzekutivit ka përshëndetur nismën, ku PD shpërndau për banorët në zonat e përmbytura 200 pako ndihma, si dhe ujë të pishëm.
Sipas Ramës, kjo është një nismë për t’u përshëndetur, edhe pse e bërë para kamerave, teksa shton se është e neveritshme që opozita të shfrytëzoi kësisoj rastesh për të propaganduar ndaj qeverisë. “Përshëndetje për çdo ndihmë simbolike që PD po jep para kamerave dhe neveri për vazhdimin e avazit vulgar të propagandës boshe antiqeveri!”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama disa minuta pas këtij postimi të parë, shkruan një postim të dytë në Twitter. Rama shkruan se Qeveria nuk është më një estradë, por një strukturë e përgjegjëshme e cila mbart përgjegjësit dhe bënë detyrën e saj në ndihmë të qytetarëve më në nevojë. “Çdo strukturë përgjegjëse e shtetit është pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe qeveria s’është më trupa e cirkut të vjetër me përmbytjet!”, shkruan Kryeministri Rama në statusin e dytë të tij.
Reagimet e Kryeministrit Rama erdhën pas deklaratës së Kreu të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se qeveria nuk është duke bërë detyrën e saj.
Deklarata e Kryetarit të Partisë Demokratike u bë nga Darëzezë të Fierit një nga zonat më të përmbytura ku PD shpërndau 200 pako ndihma si dhe ujë të pijshëm për banorët më në nevojë.