Politika

Rama: Po bëjmë rritjen më të lartë historike të pagave, ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se, “sot jemi përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë po bën rritjen më të lartë historike të pagave dhe po bën kapërcimin e madh, të shumëpritur dhe shumë dëshiruar dhe për të cilin jemi përpjekur, këmbëngulur dhe duruar jashtëzakonisht shumë përballë situatave të papritura, befasive dhe fatkeqësive që nuk i kemi sjellë, por na kanë zgjedhur ne”.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama tha se, “Shqipëria me një pagë mesatare 900 euro është një Shqipëri tjetër. Këtë Shqipëri kemi çdo ditë, çdo javë, çdo vit që e ndërtojmë.Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë, pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht çdo javë në faqet e mediave më prestigjioze ndërkombëtare si destinacioni për t’u zbuluar, si destinacioni për t’u vizituar”.

“Sot jam shumë i lehtësuar sepse vijmë për të kaluar një projekt, të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe për të cilin kemi luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend kur tabela e klasifikimit ishte si vijnë 259 euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 euro, Maqedonia e Veriut e kishte 504 euro, Serbia e kishte 537 euro dhe Mali i Zi e kishte 726 euro. Kemi qenë jo thjesht të fundit, por të fundit me diferencë”, theksoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se, “sot tabela është si vijon; Kosova 504 euro, Maqedonia e Veriut 705 euro, Serbia 763 euro, Bosnje-Hercegovina 890 dhe Mali i Zi 792 euro dhe me votimin e sotëm i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sigurisht edhe të tjerët do të rriten në raport me këtë, por sipas të gjitha gjasave me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit”.

Ai theksoi se me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit.

Rama tha se, “kjo është ajo që po bëjmë sot ne, të tjerat janë dokrra hini, siç thoshte At Gjergj Fishta, të njëjtat dokrra që kemi dëgjuar që kur kemi filluar punën dhe kur kemi filluar këto përpjekje. Pse nuk e kemi bërë më parë dhe sot nuk jemi në të njëjtin nivel me rajonin për një arsye shumë të thjeshtë ne na është dashur të përballemi me situata që rajoni nuk i ka pasur. Tërmeti ra në Shqipëri nuk ra në rajon, situata dramatike dhe mjafton të shikohet sa të ardhura kemi spostuar ne për të sistemuar në shtëpi dhjetëra, mijëra familje për të kuptuar pse kjo nuk u bë kur u krijuan mundësitë. Pastaj erdhi pandemia dhe agresioni i luftës. Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin, që sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe për biznesin e vogël por edhe për pjesën dërrmuese të biznesit të jetë dora e qeverisë”.

“Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte dhe qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të vazhdojë të paguajë, ndërkohë që me ardhjen e verës, konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës. Por sot për sot, jemi ne këto kushte që vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash”, tha Rama.

Prandaj, vijoi Rama, nëse këtu do të kishim të bënim me një ekonomi lënguese, nëse këtu do të kishim të bënim me një pasqyrë si ajo që na vihet përpara sa herë që ka një seancë parlamenti, ku merret një shifër këtu e një shifër atje, si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej dhe mori nga të gjitha kafshët nga një gjë dhe pastaj doli një mostër, atëherë sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet.

“Por e vërteta e thjeshtë fare, është që ekonomia është rritur, ndryshe nga çfarë është thënë këtu dhe ndryshe nga çfarë parashikonin ata, të cilët, thashë, jetojnë me pasqyra të tilla”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “një Shqipëri tjetër që sot pa asnjë shtysë, pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht çdo javë në faqet e medieve më prestigjioze ndërkombëtare si destinacioni për t’u zbuluar, për t’u vizituar”.

“Shikoni shifrat e aeroportit të Rinasit për të kuptuar se çfarë Shqipëria është kjo sot në krahasim me atë dje, të gjithë ata që vijnë në aeroportin e Rinasit janë konsumatorë që nuk vijnë me bukë me vete , janë eksporti më i madh i Shqipërisë dhe turizmi është eksport. Në këtë Shqipëri është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button