Politika

Rama: Po të kishte negociata me SHBA, mund të ishte më e lehtë. Nuk do duhej të bindnim 27 koka

“Humnera” shpirtërore mes Shqipërisë dhe Europës ka ardhur gjithnjë duke u ngushtuar, por do të mbyllet tërësisht nëse Shqipëria hap negociatat me BE-në.

I pranishëm në aktivitetin me temë: “Trashëgimia kulturore shqiptare – një vlerë në rrugën evropiane”, pranë Akademisë së Shkencave, Kryeministri Edi Rama tha se “shprehja që shqiptarët përdornin sa herë e linin shtëpinë ishte, po marr rrugën për në Europë”.

“Në këtë shprehje përmbledhen ëndrra, shpresa dhe ambicia e çdo burri, e çdo babai e çdo djali që linte shtëpinë për të marrë rrugën në Europë, për të sjellë prej andej atë çka shtëpia nuk mund ta kishte. Kështu kanë jetuar shqiptarët prej shumë shekujsh, e deri më sot, në 9 maj të 2018-ës që flasim. Me këtë ëndërr, me këtë shpresë e ambicie. Ndërsa humnera e thellë shpirtërore mes tyre dhe Europës, ka ardhur duke u ngushtuar. Por përsëri sot, duke qenë kryeministër, është detyrë ta shohësh fundin e humnerës, përmes parimeve që e ndërtuan Europën e Bashkuar. Është aty hija e humnerës kur flet me deputetë të BE. Është fatmirësisht një hije e asaj humnere. Pasi humnera është shumë më psikologjike sesa faktike, pasi Shqipëria ka marrë mbështetje historike nga BE për të çelur negociatat për ta mbyllur përfundimisht humnerën. Natyrisht si në të gjitha kohërat dhe rastet që na ka dhënë historia, nuk kemi pasur fatin që të jemi në sinkron, pasi sot ne jemi te dera dhe ata që janë pas dere, nuk janë aq entuziast aq sa ishin për të ardhmen e asaj shtëpie”.

BE, projekti më vizionar dhe i jashtëzakonshëm që njerëzit kanë mundur të imagjinojnë

Kryeministri Rama theksoi se, “në 9 maj të 1950, Rober Schuman e parashikoi se Europa nuk do të bëhej as me një të shtënë dhe as me formën e një parafabrikati monolitik, por nëpërmjet realizimesh konkrete duke krijuar së pari dhe mbi të gjitha një solidaritet faktit”.

Dhe, theksoi kryeministri, “pavarësisht se na mbeten në mendje ata pak që na kujtojnë hijen e humnerës, teksa sot u flasim me entuziasmin tonë fëminor për Europën, të shumtit janë ende me përpjekjen për ta bërë realitet duke e përmbyllur projektin më vizionar dhe më të jashtëzakonshëm që njerëzit kanë mundur të imagjinojnë dhe të çojnë përpara që është BE”.

Për t’u bërë pjesë e SHBA do kishte qenë më e lehtë, mbase

Kryeministri Rama theksoi se, “natyrisht edhe SHBA në këtë aspekt janë një tjetër projekt madhështor i njeriut për të imagjinuar dhe i fuqisë së politikës për ta kthyer në realitet këtë vizion. Por ne sot jemi në prag të çeljes së negociatave për në BE. Po të kishte negociata për t’u bërë pjesë e SHBA, mund të kishte qenë më e lehtë, mbase. Sepse nuk do të duhej të bindnim 27 koka.

Shqiptarët, mbase më europianë se të tjerë që janë pjesë e BE

Kryeministri rikujtoi edhe njëherë fjalët e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk gjatë vizitës në Tiranë.

“Sot më vjen mirë të kujtoj se presidenti i Këshillit Europian para pak ditësh këtu në Tiranë gjeti fjalët, jo vetëm më të mira, po dhe më të goditura për të na inkurajuar në këtë proces ku tha se sot ne jemi mbase shumë më europianë se të tjerë që janë pjesë e BE-së. Dhe kur nënvizoi se rekomandimi i fundit i KE tregoi që keni bërë përpjekje të mëdha dhe jeni gati të nisni një prej projekteve më pozitive politike”, tha Rama.

Presidenti Macron program të ngjashëm me Rilindjen Urbane

Kryeministri Rama theksoi se, “programi ynë kombëtar i shumë diskutuar dhe i anatemuar i Rilindjes Urbane sapo është bërë me një vëlla të madh, me programin kombëtar, Zemra e Qytetit të Presidentit Macron me vlerë 5 miliardë euro për të ripërtërirë qendrat e qytezave dhe qyteteve të Francës. Këto programe nuk kanë të përbashkët as përmasat dhe as densitetin për m2 të vlerave të trashëgimisë kulturore europiane, por kanë të përbashkët atë që ishte thelbësore për ne në programin e Rilindjes Urbane, forcimin e lidhjes së brendshme me hapësirën publike europiane. Dhe sa duke vlerësuar trashëgiminë aq edhe duke krijuar vlerë të shtuar për t’iu dhënë njerëzve në komunitete, hapësira ku të marrin frymë europianisht në vend që të jenë të asfiksuar nga hapësirat që çojnë shumë më mbrapa në kohëra të zymta të pazareve dhe parkingjeve, ku dikur parkoheshin karroca mallrash, ndërsa në kohën tonë parkoheshin mercedesë”.

Hapja e negociatave, përputhja simbolike me 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Kreu i qeverisë shtoi se “rastësia në këtë rast është më hegeliane se shpesh herë shpata që hap rrugën e domosdoshmërisë duke përputhur 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut me dhe vitit kur ne jo duam, por duhet të hapim negociatat për anëtarësim. Hapja e negociatave do të ishte dhe përputhja më e fortë simbolike e një historie që sot ne e kremtojmë me shumë krenari duke celebruar figurën e atletit të krishtërimit siç u pagëzua Gjergj Kastrioti, siç mbase iu vjen mirë ta dëgjojnë edhe atyre që thonë, na duhet kohë të mendohemi a do i çelim apo jo negociatat me Shqipërinë”

Prandaj, u shpreh kryeministri nuk i kuptoj dot misionet faktmbledhëse me deputetë që vijnë në mëngjes e ikin pasdite. Më takojnë mua, ca deputetë, dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon në rrugë të ndryshme dashuria për Holandën dhe largohen dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysmë dite, ndërkohë KE është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt që hanë e pinë fakte, dëgjojnë e flasin vetëm fakte.

Kërkojmë pjesën e dytë të kurës, për të shëruar plagët tona

Duke folur për Komisionin Europian, Rama u shpreh se, “na kanë nxjerrë ujë të zi në të gjithë proceset dhe sinqerisht na kanë dhënë ndihmën më të madhe që mund të na jepej. Na kanë dhënë dhe provën më të madhe të asaj që unë kam thënë gjithmonë, përgatitja për hapjen e negociatave dhe hapja e negociatave janë pa çmim, janë udhëtimi përmes ferrit për t’ia dalë që të kemi një shtet modern me institucione demokratike. Nuk ka asnjë kurë tjetër për Shqipërinë dhe vendet tona, përveç kurës së rëndë të këtij procesi. Është procesi më i vështirë dhe më i mundimshëm dhe i pamëshirshëm, por është i vetmi proces”.

Rama shtoi se ka politikanë në Europë që ende nuk e dinë që Shqipëria kërkon hapjen e negociatave dhe jo anëtarësimin në BE.

“Ne po kërkojmë vetëm të na japin pjesën e dytë të kurës. Ne nuk po kërkojmë të zëmë një vend në tribunën Vip të stadiumit të Europës. Jemi ende në procesin për të kuruar sëmundjet tona të trashëgura dhe për t’u bërë gati me shëndet demokratik, që të bëhemi gati për të hyrë në atë stadium. Ne nuk mund të na mohohet kura. Të na thuhet prisni një minutë se kemi hallet tona”, tha Rama.

“Në emër të etërve themelues të Europës, ku s’ka pasur asnjë shqiptar, kanë qenë francezë, gjermanë, italianë etj, nipërit e tyre që sot drejtojnë Europën duhet të çelin negociatat e Shqipërisë me BE”, tha Rama.

Related Articles

Nje koment

  1. Bota sote eshte ndar sipas fes.Ata nuk bashkoen me njeri tjetrin.Pse eshte majoriteti musliman nuk e duan Shqiperin ne Evrope.Kriminaliteti,droga,korruptions,barazia para ligjit eshte nje problem i perbashket per te gjith boten

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button