Rama prezanton paketën fiskale 2027: Rritet me 1% TVSH-ja për produktet jashtë shportës, tatim 30% pagat mbi 700 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga politikat e reja të taksimit në paketën fiskale për vitin 2027, duke njoftuar rritjen e normës standarde të TVSH-së me 1% për produktet jashtë shportës, rritjen e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15% dhe ndryshime në pragjet e tatimit mbi pagat.
Rama tha rritja e TVSH-së do të shërbejë si një formë rishpërndarjeje, ku kontributi për mallrat jashtë shportës bazë do të ndihmojë në garantimin e saj për familjet që kanë vështirësi ekonomike.
“Rrisim me 1% normën standarde të TVSH-së, si një kompensim i ndershëm i kontributeve, në formën e një rishpërndarjeje. Thënë ndryshe, për të gjitha mallrat jashtë shportës, të gjithë do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë të vështirë ta përballojnë deri në fund të muajit të jetë e garantuar, si një solidaritet i arsyeshëm”, tha Rama.
Një tjetër masë e njoftuar është rritja e pragut të sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Sipas Ramës, nga ky ndryshim pritet të përfitojnë rreth 32 mijë tatimpagues të shtresës së mesme.
Gjithashtu, do të vendoset një prag i ri tatimor për pagat prej 700 mijë lekësh të reja, me një normë tatimi prej 30%. Rama tha se kjo masë synon, ndër të tjera, të kufizojë shmangien e tatimit mbi dividentin.
“Ulim barrën tatimore. Janë 32 mijë tatimpagues të shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje: rritjen e pragut të sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje, ndërsa sot na e jep mundësinë.
Vendosim një prag të ri tatimi mbi pagën prej 700 mijë lekësh të reja, ku norma e tatimit do të jetë 30%, në radhë të parë si një instrument për t’i mbyllur shtegun evazionit të dividentit”, tha Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.