Politika

Rama: PS nuk bën avokatin e Saimir Tahirit, ai ka avokatët e tij dhe punën e ka me drejtësinë

Qeveria shqiptare do të zhvillojë këtë vit volumin më të madh të investimeve publike sa i përket infrastrukturës.

Kryeministri Edi Rama, në emisionin Tonight të gazetares Ilva Tare u shpreh sonte se, “kemi bërë projektimin e një buxheti që na jep mundësinë të kemi këtë vit volumin më të madh të investimeve publike sa i përket infrastrukturës”.

“Këtë vit ndërtojmë 80 qendrat e para shëndetësore të standardeve bashkëkohore që janë fillimi i një programi për 300 qendra shëndetësore. Për këtë vit fillojmë shpërndarjen e librave falas për fëmijët nga klasa e parë në të pestën, këtë vit ndërtojmë bashkë me fermerët një sërë procesesh të reja ndërveprimesh me shtetin dhe financojmë programe të reja për prodhimin, agropërpunimin, agroturizmin”, tha Rama.

I pyetur për reformat e qeverisjes, Rama u shpreh se, “kemi nisur procese shumë të rëndësishme që do të kërkojnë kohën e tyre për t’u ndjerë nga qytetarët, si procesi i shkurtimit të konsiderueshëm të numrit të ndërveprimeve të qytetarëve me zyrat e shtetit, më pak ecejake në zyrat e shtetit, më pak autorizime, më pak shqetësime nga kërkesat për bakshish dhe më pak shpenzime financiare”. “Kjo është reformë që punojmë intensivisht. Një pjesë e shërbimeve kanë filluar të kalojnë në sistemin e-albania dhe të jepen online, certifikata mund të merret nga shtëpia. Një pjesë tjetër janë në proces”, shtoi ai.

I pyetur për punën e administratës, Kryeministri theksoi se, asgjë nuk po bëhet me më pak përkushtim dhe më pak cilësi se bëhej më parë. “Ajo që duam është të bëhet më me shumë cilësi se bëhej më parë. Sa i përket performancës së përditshme të institucioneve nuk ka pësuar asnjë lloj cënimi si rezultat i rikonfigurimit dhe si rezultat i riorganizimit të brendshëm të mekanizmit të qeverisjes”, tha ai.

Qeverisja i vetëm, përgjegjësi më e madhe

Kryeministri u shpreh se qeverisja vetëm “është një barrë më e rëndë, përgjegjësi më e madhe dhe patjetër që është një sfidë më e madhe. Nuk ka se kujt t’i lësh fajin, ashtu sikundër nuk ka psikologjikisht një lloj pajtimi të brendshëm me faktin se disa gjëra nuk bëhen sepse politikisht e kemi të pamundur pasi jemi të detyruar nga kushtet e koalicionit”, tha ai.

Rama u shpreh se qeverisja vetëm e ka bërë më modest. “Besoj që mua personalisht dhe do të dëshiroja të konstatohej tek të gjithë, më ka bërë shumë modest, të vetëdijshëm për barrën dhe shumë të urtë përballë të gjithë problematikave me të cilat ndeshemi”.

Kemi marrë mandat për të modernizuar administratën 

I pyetur për proceset e reformimit të administratës, Rama u shpreh se, “në zyrat e dikastereve ku kanë ndodhur këto procese jo vetëm njerëzit e dinë, por kemi ndërtuar një program të posaçëm trajnimesh për drejtuesit e drejtorive dhe sektorëve, në mënyrë që të hyjmë në një fazë të re dhe mekanizmi të hyjë në një ritëm të ri. Do të dojë dhe pak kohë që kjo të ndihet realisht si një rritje cilësie në raport me qytetarët”.

Kryeministri u shpreh se “një nga dramat e mëdha të procesit qeverisës të gjithë viteve të shkuara ka qenë mungesa e trajnimeve. Trajnimet, ajo që quhet edukim në vazhdim, i bën çdo qeveri e përgjegjshme vazhdimisht. Trajnimet nuk janë kurse kundër analfabetizimit. Trajnimet janë edukimi në vazhdim i gjithë organizatave që përbëjnë së brendshmi organizatën e pushtetit ekzekutiv”, tha ai.

Rama theksoi se, “ka deputetë të PS-së që e kanë më të vështirë sesa të tjerë që ta kuptojnë se ky nuk është një proces për zënie të disave për të marrë disa, por ky është një proces modernizimi. Nga njëra anë duhet bërë reforma strukturore dhe nga ana tjetër i duhet gjetur punës njeriu. Ne kemi përgatitur një reformë për të gjithë sistemin e drejtimit në nivelin ekzekutiv në ministritë qoftë në sektorin e arsimit, shëndetësi, bujqësi, gjithë fushës së inspektimeve dhe kjo reformë kërkon patjetër kohën që ka marrë. Përshtatja e burimeve njerëzore është një çështje që nuk është e partisë, është e qeverisë”, tha ai.

Rama u shpreh se ka deputetë të PS-së nën presion për shkak se, “njerëzit  e partisë në rrethe të ngushta që kanë dhënë edhe kontributet e tyre, kërkojnë të gjejnë akses për t’u punësuar në shtet”. “Por unë nuk mund të harroj për asnjë moment dhe është puna ime në radhë të parë dhe pastaj e deputetëve që t’ia kujtojmë njëri-tjetrit deri në bazë se, kemi marrë një mandat për të modernizuar administratën”, tha Kryeministri.

Apelim vendimit të Gjykatës së Strasburgut për pallatin në Vlorë

I pyetur për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për pallatin e shembur në Vlorë, Rama u shpreh se qeveria e ka apeluar vendimin.

Nga ana tjetër kryeministri është shprehur se do ta bënte 1 mijë herë shembjen e atij ndërtimi. “Kemi bërë shpronësim të ligjshëm dhe ankuesit nuk kanë kontestuar shpronësimin, por shifrën. Kanë qenë të pakënaqur me shifrën e përcaktuar nga qeveria për këtë kanë shkuar në gjyq. Ajo është gjykatë. Dhe ne kemi bërë apel. Por ajo që ka fituar Vlora dhe që do të ketë ekonomia e Vlorës në të ardhmen nuk ka asnjë diskutim”, tha Rama.

Jemi në një tjetër etapë të procesit të bërjes së reformës në drejtësi

I pyetur për reformën në drejtësi, kryeministri Rama u shpreh se, “jemi në një tjetër etapë të procesit të bërjes së reformës në drejtësi dhe gjithmonë kemi një kundërshtim nga opozita”. “PS është gjithmonë 100% mbështetëse dhe kontributore e reformës në drejtësi dhe nga ana tjetër, LSI, këtë herë hapur, jo si më parë kur hidhte gurin me qetësi dhe fshihte dorën me dashuri, siç ka bërë gjatë gjithë kohës, që nga fillimi që ne kemi nisur procesin e reformës në drejtësi, ka qenë vazhdimisht një qenie e dyzuar, tjetër në publik, tjetër në tavolinë”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se, “si shoqëri dhe si shtet nuk bllokohemi dot më nga opozita për reformën në drejtësi, sepse në çdo hap ka mekanizma zhbllokues për të vijuar reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është e PS-së, as për PS-në, por si kusht për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian”, tha Rama.

Duke folur për opozitën, Kryeministri u shpreh se, “nëse ata që kanë mandat nga votuesit e përdorin për të bllokuar procesin e integrimit në BE, apo për të cënuar imazhin e Shqipërisë, atëherë ky është turp dhe i mbetet atyre, por kosto i kalon Shqipërisë”.

I pyetur për akuzat e opozitës se po kap drejtësinë, Rama u shpreh se, “si ka mundësi që SHBA dhe BE të investojnë në një proces kaq të rëndësishëm dhe historik dhe të pranojnë që unë të kap Prokurorinë dhe qeveria të kap drejtësinë. Po ku ka njeri që e ha këtë lloj sapuni për djathë”.

Kryeministri theksoi se “opozita për ndryshimet Kushtetuese që kërkon duhet të shkojë të marrë miratimin e SHBA-së dhe BE-së dhe pastaj ne ja pranojmë. SHBA dhe BE janë partnerët tanë strategjikë, pa të cilët kjo reformë nuk do mund të bëhej kurrë”.

Kryeministri nuk komentoi mbi punën e Kryeprokurores, Arta Marku por u shpreh se “nëse Arta Marku nuk do ishte zgjedhja e duhur partnerët ndërkombëtarë nuk do ta kishin duartrokitur aq shumë për ata që kanë vesh t’i dëgjojnë duartrokitjet”.

Saimir Tahiri ka avokatët e tij, PS nuk bën avokatinë e tij

I pyetur për çështjen e Saimir Tahirit, Rama tha se, “Saimir Tahiri ka avokatët e tij dhe punën e ka me drejtësinë. Unë pres përfundimin, kur drejtësia të japë përfundimin. Saimir Tahiri as nuk është pjesë e PS-së, as e grupit të PS-së dhe as e qeverisë. Jemi e para herë në histori që një forcë bën këtë ndarje drastike në emër të raportit me drejtësinë”, tha ai.

Kryeministri Rama komentoi ndihmën e SHBA-së  me prokurorë federale të FBI-së për hetimin e çështjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Ndihma është e mirëseardhur dhe çdo ndihmë për zbardhjen e plotë të çështjes, për të cilën unë jam interesuar të di përfundimin, është e mirëseardhur. Por dua të jem i qartë, PS nuk bën avokatin e Saimir Tahirit”, tha Rama.

Rama u shpreh se operacioni forca e ligjit do të bëjë të gjitha punët e duhura për të bërë goditjet e duhura.

Problem qasja e opozitës ndaj reformës në drejtësi

I pyetur për protestën e 27 janarit të opozitës, Rama u shpreh se, problemi nuk është protesta, por është qasja e këtij konglomerati opozitar, e kësaj tufe pa strategji, pa kokë, pa ide, pa asgjë përveç një dëshpërimi të shprehur në formën e një mllefi ekstrem në raport me objektivin historik të hapjes së negociatave, pra në raport me reformën në drejtësi. Çfarë mesazhi i çon kjo opozitë BE-së që proteston për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme që është zgjedhur me mbështetjen e BE-së? Pra çfarë mesazhi çon në Bruksel?”, tha Rama.

Brenda vitit të 3-të të mandatit synojmë rritje ekonomike mbi 5%

Kryeministri Rama u shpreh se qeveria synon një rritje mbi 5% brenda vitit të 3-të të mandatit qeverisës.

“Për vitin 2018 kemi një program financimi dhe stimulimi të ekonomisë që do të konsistojë në rritjen e mëtejshme ekonomike. Objektiv është që në vitin e 3-të të mandatit të kemi kaluar 5 %. Nëse kalojmë 5% jemi në kushte kur rritja ekonomike kthehet nga një shifër, në një rritje reale në jetën e njerëzve. Ne këtë synojmë”.

Duke folur për punësimin, Kryeministri u shpreh se, “kemi shifra të punësimit që janë të padiskutueshme. Libri i llogarive të shtetit ka sot 200 e kusur mijë të punësuar më shumë që janë të regjistruar dhe paguajnë sigurime.

Kryeministri u shpreh se, “përfshirja e biznesit të vogël në skemën e  TVSH-së nuk dëmton  biznesin e vogël, por e përfshin biznesin e vogël në një skemë duke mos e bërë atë si valvula shfryrëse e paligjshmërisë se biznesit të madh”.

Për rrugën e Arbrit, Rama u shpreh se, “jemi në fazën e përfundimit të negociatave dhe lidhjen e kontratës me kompaninë. Procesi është nërrugën e duhur dhe rruga e Arbrit do të ndërtohet brenda këtij mandati”, tha ai.

“Në projektin 1 miliard për rindërtim këtë viti janë rruga Milot-Balldren, Thumanë-Kashar që janë në procedurë të avancuar. Delvinë-Kardhiq që është në procedurë dhe disa projekte që do të jenë me formën e rrugës alternative me pagesë”, tha kryeministri.

I pyetur për portalin e bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al, Kryeminsitri u shpreh se, vetëm përfshirja e Ministres së Drejtësisë bëri që të zgjidhej për 10 ditë problemi i zvarritjes së njerëzve dhe 35 parazitë të largoheshin. Prandaj na vini në provë në çdo rast kur në një zyrë nuk ju përgjigjet, do të jetë qeveria miku juaj”.

Për by-passin e Fierit, Rama u shpreh se për pak muaj do të fillojë puna. “Kemi nisur procesin e ri së bashku me Bankën dhe do të bëjmë dhe fazën finale dhe do fillojmë punën dhe do ta mbyllim”.

I pyetur për aeroportin e Kukësit, Rama tha se, “nuk kemi pasur oferta”. Ndërsa, shtoi Rama, “për aeroportin e Vlorës e presim këtë javë ofertën nga grupi që ndërton aeroportin e tretë të Stambollit. Aeroporti i Vlorës do të jetë rajonal ndërsa ai i Sarandës, turistik”.

Në raport me minierat, u shpreh Rama, “kemi filluar të përpunojmë kromin, kemi uzina përpunimi, kemi rilindje në këtë sektor. Në sektorin e naftës kemi të dhëna shumë pozitive. Kompania Shell do të nënshkruajë një kontratë me qeverinë shqiptare. Prandaj gjërat ndoshta nuk janë aty ku do jenë, por janë shumë më mirë se ç’ishin”.

I pyetur për largimin e Sheratonit nga Shqipëria, Rama tha se, “bëhet fjalë për një kompani arabe që kishte bërë marrëveshje me Sheratonin. Nuk iku Sheratoni nga Shqipëria. Sheratoni është një brand që e menaxhonte kompania arabe. Ndërkohë jo vetëm Sheratoni, por dhe emra të tjerë të mëdhenj janë në proces për t’u lidhur me investitorë të rinj në Shqipëri. Do të kemi shumë shpejt dhe hotelin me 5 yje në jug”.

Kryeministri gjithashtu u shpreh se nuk do të lejohen më kompanitë me dy bilance. “S’mund të ketë dy bilance, një për bankat një për tatimet. Tek tatimet tregojnë sa të varfër janë, tek bankat tregojnë sa të pasur janë. Vetëm një bilanc”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button