Politika

Rama: Pse Tom Doshi s’mund të jetë më me ne

Kryeministri Edi Rama ka publikuar para pak minutash në Facebook, fjalën e plotë të mbajtur përpara deputetëve të grupit socialist, mbledhje e cila përfundoi me përjashtimin e deputetit Tom Doshi, pas deklaratave shumë të forta prej tij ditët e fundit.

edi-rama33“Secili prej nesh ka një kontratë bashkëjetese me këtë parti dhe me këtë grup. Padyshim me secilin dhe secilën prej jush, mua më lidh përveç punës edhe një marrëdhënie njerëzore e veçantë. Me uljet e ngritjet e natyrshme të temperaturës si në çdo rreth të ngushtë shoqëror. Por ashtu sikundër mosmarrëveshjet personale mes njëri – tjetrit nuk mund të jenë kurrë për mua, udhërrëfyes në qëndrimet e mia si kryeministër e kryetar partie ndaj çdokujt prej jush, unë nuk kam asnjë mundësi të mbështes apo lejoj në heshtje shkeljen, nga cilido këtu, të normave bazë të kontratës së bashkëjetesës sonë në këtë grup. Sepse me këtë grup janë të lidhur sot fatet e vendit tonë, përpara të cilave fati i interesave sado legjitime të secilit prej nesh s’ka asnjë peshë.Në këtë grup, gjithkush mund të thotë atë që mendon për qeverinë. Por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë”, mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve socialistë.

Shefi i Qeverisë, njëherazi kryetar i PS-së shprehet më tej: “Në këtë grup gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cënojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetëror. Në këtë grup gjithkush mund të ngrejë shqetësimin e korrupsionit dhe mund të flasë hapur, për çdo rast apo fakt konkret korrupsioni, me emër e mbiemër. Por askush nuk mund të ngrihet si i shqetësuar për korrupsionin, që t’i japë vetes rastin të flasë mbarë e mbrapsht për qeverinë, ministrat ose drejtuesit e institucioneve të shtetit”.

Rama tërheq ndër të tjera vëmendjen kur thotë: “Në këtë grup gjithkush mund të flasë për çdo pakënaqësi që ka, lidhur me sa po i mbajmë apo nuk po i mbajmë premtimet ndaj elektoratit. Por askush nuk mund të shpërdorojë besimin e elektoratit për të cënuar qeverinë ose cilindo ministër apo zyrtar të shtetit, me shprehje ekstreme pakënaqësirash krejt personale.Në këtë grup gjithkush mund të jetë vetvetja, por askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja”.

Por mësa duket qëndrimi i ditëve të fundit të Tom Doshit, duket se e ka bërë të pamundur bashkëjetesën në të njëjtin grup parlamentar.

“Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar. Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie.Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, ka deklaruar Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button