Rama: Qeveria italiane vendim për të hequr taksën për kamionistët që transportojnë mallra drejt Italisë
Kryeministri Edi Rama e ka nisur sot fjalën e tij në konferencën për shtyp të fundvitit në Kyeministri me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët që transportojnë mallra drejt Italisë dhe prej 25 vitesh vuajnë barrën e një taksimi që ka mbetur në raport me mallrat që shkojnë në Itali nga Shqipëria.
“Dua ta nis me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët shqiptarë që bëjnë veprimtari transporti me Italinë, të cilët prej 25 vjetësh vuajnë mbi kurriz barrën e një taksimi krejtësisht të padrejtë që ka mbetur në raport me mallrat që shkojnë në Itali nga Shqipëria, qysh në mesin e shekullit të shkuar, një absurditet i plotë, ku Shqipëria ka mbetur nën këtë regjim taksimi së bashku me dy vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Është bërë një përpjekje e vazhdueshme në këto vite, por asnjëherë nuk është arritur që kamionistët tanë të çlirohen nga kjo barrë. Unë kam patur sot një komunikim me kryeministrin italian, i cili ishte këtu fiks një vit më parë dhe kam marrë lajmin e gëzuar për kamionistët dhe të shumëpritur për të gjithë atë komunitet, se më në fund, qeveria italiane ka kaluar një vendim, i cili tanimë është depozituar në parlamentin italian, për heqjen e kësaj takse, një barrë 500 euro për çdo kamion që hyn dhe del në Itali nga Shqipëria. Pasi të kalojë dhe procedura parlamentare, ky hap kthehet në ligj. Ndërkohë, qeveria italiane, bashkë me vendimin, ka depozituar edhe mbulimin financiar të shumës që do t’i hiqet nga shpina kamionistëve, pra është një zotim i mbajtur nga ana e kryeministrit italian, të cilit në mënyrë të vazhdueshme ia kam kujtuar se nuk mund të kalojë edhe një vit tjetër pa finalizuar këtë zgjidhje”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ekonomia, Rama: Viti i ardhshëm do të jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike
Në vijim Rama deklaroi se vendi ndodhet në një fazë të ndërmjetme të reformave shtetndërtuese dhe transformimit të sektorëve të jetës së vendit në sektor të çliruar nga kanceri që kishte kapur dhe po i asfiksonte pa përjashtim
“Është ndalur një hemorragji e madhe në të gjitha organet jetike të organizmit të jetës së vendit dhe ka filluar ku në mënyrë më të dukshme, ku në mënyrë ende jo të dukshme por qartësisht të ndryshme një rimëkëmbje e gjithanshme, duke nisur edhe me ekonominë që është pjesa që u intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por edhe pjesa më e vështirë””, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se, është realizuar objektivi për të vazhduar rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe shprehu besimin se viti i ardhshëm do jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike.
“Duke e nisur me ekonominë, që është edhe pjesa që ju intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por që është edhe pjesa më e vështirë pasi ndërthurr brenda të gjithë komponentët e tjerë, dua të them se kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e vazhdueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm do të jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, pikërisht sepse jemi në një proces ku reformat kanë filluar të japin rezultate, ia kemi dalë të zerojmë taksën për 83500 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë, si dhe të përgjysmojmë taksën për 15 900 biznese të tjera me xhiro vjetore 50-80 milionë lekë, rezultat i drejtëpërdrejtë i operacionit kundër informalitetit, që na ka dhënë arsye shumë të forta për të qenë të inkurajuar fuqimisht në vazhdimin e këtij procesi shtetndërtues. Kemi shlyer mbi 600 milionë dollarë borxhe të prapambetura dhe të fshehura nga qeveria e kaluar në të gjithë sektorët për punë apo shërbime të kontraktuara, punë publike, arsim, energji, transport, kulturë, bujqësi, drejtësi, e me radhë. Si dhe kemi shlyer të gjitha borxhet e akumuluara dhe të fshehura ndaj njerëzve në nevojë”, tha Kryeministri Rama.
Rëndësi të veçantë sipas Ramës ka edhe zvendësimi i taksës së sheshtë me taksën progresive, që sipas Ramës i rriti shqiptarëve rrogat me 7.5 %.
“Zëvendësimi i menjëhershëm i taksës së sheshtë me taksimin e ndershëm duke u kursyer të gjithë qytetarëve që paguajnë TVSH nga rroga e tyre, 230 dollarë në vit dhe ulja e taksave për 97% të shqiptarëve, është përfituar një pagë mesatare e rritur 7.5 %, rritje më e lartë e pagës krahasuar me shumë vite të shkuara të mbledhura së bashku”, tha Rama.
Rendi, Rama: Transformuam Policine e Shtetit, pergjysmim të numrit të vrasjeve
Në punën e qeverisë gjatë vitit 2015, Kryeministri Rama nuk la jashtë vemendjes edhe transformimin e Policisë së Shtetit. “Këtë vit e mbyllim me përgjysmim të numrit të vrasjeve”, tha Rama, duke shtuar se 2015-a është viti më i mirë në arritjet kundër krimit krahasuar me të gjitha vitet e tjera. Rama tha se, kamerat e trupit që pritet të kenë së shpejti policët në terren që janë në kontakte të drejtpërdrejt me qytetarët, do të kthehen në një “tru elektronik të policisë së shtetit”.
“Ka rënie me 50 % të numrit të vrasjeve. Komisariati dixhital është një histori i bukur suksesi dhe bazë solide për të vazhduar intensifikimin e punës së policisë në shërbim të qytetarëve. Këto ditë përfundon kolaudimi i projektit të kamerave në trup të policisë së patrullave në kryeqytet i cili do të garantojë ndjekje në kohë reale të të gjithë aktivitetit të punonjësve të policisë që janë në kontakt me qytetarin. Garanton regjistrimin të të gjithë komunikimeve me qytetarin, garanton koordinim më të shpejtë dhe efikas të strukturave të policisë në çdo rast kur sinjali i parë për nevojën për ndërhyrje të shpejtë vjen në kohë reale përmes kamerave të trupit në sallën operative. Do të vendosen kamera të cilësisë së lartë në hyrje daljet e qytetit dhe në rrugët. Akademia e Sigurisë përbën një bazë të rëndësishme për të shkuar përpara me këtë transformim”, tha Rama.
Arsimi, Rama: Pastruam sistemin nga mësuesit pa shkollë
Reforma në arsim është një tjetër ndryshim rrënjësor që Kryeministri Rama e konsideroi sukses gjatë qeverisjes së majtë.
“Kemi bërë çka nuk është bërë në 20 e kusur vite të marra së bashku për të kaluar nga një epokë ku vetëm sistem arsimor nuk ka pasur dhe ku strukturat e drejtorive dhe zyrave arsimore ishin pjesë e sistemit të gangenizuar të korrupsionit, në një epokë ku vendosim themelet e arsimit modern, konkurrues dhe cilësor. Arsimi ka qenë një nga reformat shumë të rëndësishme që kanë përfunduar gjatë këtij viti. Akreditimi është një aspekt i munguar për shumë vite që do të jetë një tjetër siguri për përshtatjen me kërkesat e tregut. Pastruam sistemin parauniversitar nga mbi 4 mijë mësues pa arsim përkatës apo që jepnin mësim jashtë profilit dhe vendosëm bazat për një sistem meritokratik. Pastruam 600 tekste shkollore me budallallëqe dhe gabime që i kanë kushtuar shumë nxënësve dhe prindërve”, u shpreh kryeministri.
Ndërkohë tha Rama për mësues, policë e funksione të tjera publike, është përcaktuar dhe mundësia e rrogës së 13-të.
Sa i përket shëndetësisë, Rama tha se, “Vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëdetësor falas tek mjeku i familjes”.
Për sportin, Kryeministri nënvizoi se, “është investuar disa herë më shumë se qeveritë e shkuara, dhe stadiumi i ri i Shkodrës do të jetë ndër më të bukurit në Europë”.
Rama deklaroi se këto arritje nuk janë për t’u brohoritur por për të pasur një besim të plotë se rruga është ndërtuar.