Rama: Qeveria, politika nxitëse dhe mbështetëse, sipërmarrja po merr frymë më lirisht
Të ndihmuara nga formalizimi i ekonomisë dhe politikat e favorshme fiskale, kompanitë shqiptare po arrijnë të investojnë gjithmonë e më shumë për zgjerimin e tyre në tregun rajonal.
Kryeministri Rama vizitoi sot ambientet e “Dast”, pjesë e “Delta Group”, një prej kompanive më të mëdha në fushën e prodhimit të rifiniturave, ngjitësave, adetivëve, etj. Në dy vitet e fundit kompania ka mundur të investojë më shumë se kurrë më parë për rritjen e kapaciteteve të saj prodhuese, mbi 8 milionë euro dhe është duke ndërmarrë një investim të ri prej 6 milionë eurosh për ngritjen e një fabrike të re në Shijak. Kjo ka bërë që vetëm në vitin 2015 të shënohet një rritje rekord me 55% e nivelit të eksporteve dhe me 30% e të ardhurave.
“Heqja e taksës së makinerive, për arsye se ne kemi importuar në mënyrë të vazhdueshme, pa dyshim që ndihmon, por ajo që është e rëndësishme dhe unë dua ta theksoj, na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë pjesa e rimbursimit të TVSH-së”, deklaroi Presidenti dhe CEO, Luan Muça.
“Të gjitha ato politika nxitëse dhe mbështesë që ne kemi bërë, ju i keni pasur në mbështetje dhe keni përfituar prej tyre. Ne do të vazhdojmë t’iu mbështesim. Investimi tjetër 6 milionë euro për fabrikën tjetër në Shijak dhe me disa qindra vende pune është shumë i rëndësishëm dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që ka një sipërmarrje shqiptare që po merr frymë më lirisht dhe po investon më shumë, po rrit eksportet dhe vendet e punës”, u shpreh gjatë turit në ambientet e fabrikës Kryeministri Rama.
Zgjerimi i mëtejshëm i kompanive si “Dast” është i kushtëzuar drejtëpërsëdrejti me liberalizimin e lejeve të ndërtimit për banesat private. “Ne i kemi lejuar lejet dhe nuk ka më pengesa, sidomos për banesat private. Nuk ka pengesa që nga dita A. Banesat private, investimet prodhuese kanë qenë gjithmonë të hapura”, theksoi Rama. “Nga ana tjetër, sigurisht që na duhej të bënim një disiplinim dhe të vinim nën kontroll territorin se u bë një çmenduri me ndërtimet pa leje”.
Zgjerimi i kapaciteteve prodhuese është shoqëruar me një kualifikim të pandërprerë të kapaciteteve njerëzore. Midis 400 punonjësve të “Dast”, një grup ekspertësh i dedikohen përditë kërkimit shkencor dhe kanë arritur të certifikojnë më shumë se 500 produkte vendase sipas standarteve europiane.
Megjithatë, për të garantuar një rritje të qëndrueshme, ashtu si shumë kompani të tjera shqiptare, “Dast” ka një nevojë gjithmonë e më të ngutshme për profesionistë të formuar me njohuritë e duhura për të drejtuar makineritë gjithmonë e më komplekse dhe të sofistikuara të kompanisë.
Për këtë, kompania është e angazhuar që të bashkëpunojë ngushtësisht me qeverinë shqiptare për formimin e shkollave dhe kurseve profesionale, duke formuar një qark të mbyllur të dijes, ku profesionistët e ardhshëm do të kualifikohen sipas nevojave të tregut, duke e bërë të sigurtë punësimin e tyre.
“Kemi një program në mbështetje të arsimit profesional. Kjo është një problematikë që është një gangrenë e formuar në vite, por ne kemi menduar të sjellim një risi, aty ku sot zhvillohet teoria, në ambientet e shkollave profesionale, ne të shkojmë t’i bashkangjisim praktikën”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i “Dast”.