Politika

Rama: Qeveria serbe u soll si tifozet. Vizita? S’ka kthim pas

ramafranceMediat botërore vijojnë të raportojnë e analizojnë atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit. Televizioni France 24 raporton se kjo ndeshje tashmë ka provokuar një krizë politike mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe se secili nga shtetet pretendon që ky incident të dënohet.

Emisioni “Paris Direct” zhvilloi një intervistë telefonike me kryeministrin Edi Rama ku fillimisht e pyet nëse vëllai i tij Olsi Rama është përfshirë në incident dhe nëse ai ka pasur apo jo një rol në gjithë këtë?

“Në radhë të parë duhet të theksoj se është qesharake që njerëzit të kapen pas një flamuri, i cili fluturoi mbi një stadium ku valëviteshin mijëra flamuj serbë dhe ku nuk kishte asnjë tifoz shqiptar, sepse na u ndalua që tifozët shqiptarë të ishin të pranishëm, pikërisht për të evituar që ndeshja të degradonte. Dhe, mbi të gjitha duhet theksuar, gjithashtu, se deri në atë moment, kishin ndodhur dhe shumë gjëra të tjera, dhe unë kam parë gjithnjë që kur në Europë kur këndohet himni i një kombi mbahet qetësi, ndërsa në stadium himni ynë u shoqërua nga thirrjet “vdekje shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Gazetarja franceze ka insistuar nëse Rama  mund t’i përgjigjej  direkt pyetjes nëse vëlla i tij ka qenë i implikuar në këtë histori.

“Unë u përgjigja duke thënë që kjo është absolutisht qesharake dhe vëllai im ndodhej aty me rreth 50 shqiptarë të tjerë të pajisur me bileta të rregullta nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilët ndiqnin ekipin. Ai ndodhej në tribunën VIP të stadiumit. Ata u kontrolluan në aeroport, u kontrolluan dhe në hyrje të stadiumit dhe nuk kishte asnjë shans që të mund të fusnin aty brenda një dron dhe ta telekomandonin. Gjithë kjo është pjesë e një tentative të dëshpëruar për t’ia vënë fajin Shqipërisë, kur ndërkohë fatkeqësisht ajo ndeshje futbolli u transformua në një arenë urrejtje raciste etnike të papranueshme dhe të padurueshme”, u shpreh Rama.

Kryeministri është pyetur gjuthashtu për vizitën e 22 tetorit në Serbi nëse kjo vizitë historike tashmë është kompromentuar.

“Mua më vjen keq për gjithçka ndodhi në stadium, sepse i takonte autoriteteve serbe të përgjigjeshin për sigurinë në stadium gjatë gjithë zhvillimit të ndeshjes, dhe më vjen akoma më keq që, në vend që të dënonin dhunën dhe të distancoheshin nga ky spektakël i papranueshëm për Evropën, qeveria serbe zgjodhi me retorikën e saj që të ndjekë tifozët serbë dhe të atyre që shkatërruan imazhin e futbollit dhe imazhin e vendit të tyre. Kurse ne zgjodhëm rrugën tjetër, rrugën e të sjellit si europianë, zgjodhëm të mos i përgjigjeshim retorikës nacionaliste dhe brutale, zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen, kooperimin dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit ku mbas 100 vitesh, është në vitin e saj të parë pa asnjë konflikt. Ndaj dhe ky kthim mbrapa është i papranueshëm ashtu sikurse këto diskutime të ngritura nga hiçi të një flamuri që provokon nderin e një kombi”, theksoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button