Kronika

Rama shkarkoi kreun e ALUIZNI-t pas ankesës së saj, e moshuara: Kam frikë se mos hakmerren ndaj familjes

E moshuara që iu ankua kryeministrit Edi Rama për sorollatjet pa fund për të marrë legalizimin thotë se ka frikë tani pas shkarkimit të kreut të ALUIZNI-t të Beratit.

Në një rrëfim për News24 e “BalkanWeb”, Hëna Caka tregon se është sorollatur plot pesë për marrjen e legalizimit dhe më në fund paraditen e djeshme 77-vjeçarja ka marrë në dorë “Lejen e Legalizimit” të shtesë së banesës së saj.

Zonja e moshuar jeton në katin e parë të një pallati në lagjen “30-vjetori” të qytetit të Beratit dhe në tetor të vitit 1994, ajo së bashku me bashkëshortin e saj që sot nuk është gjallë kishte bërë shtesë një dhomë në krah të pallatin, ngjitur me dhomën e saj të gjumit.

Pas përfundimit të shtesës, zonja ka pasur gjithmonë konflikte me komshiun në katin e dytë, i cili prej 23-vjetësh e ka shfrytëzuar tarracën e ndërtesë shtesë së zonjës si ballkonin e tij.

Hëna Caka deklaron se menjëherë pas përfundimit të shtesë ajo ka bërë kërkesë për legalizim, kërkesë kjo që është miratuar vite më vonë, në vitin 2012. Pasi u doli emri për legalizim, familjarët Caka, me një shkresë të marrë në zyrat e Drejtorisë së ALUIZNI-t Berat kanë shkuar në bankë dhe kanë bërë pagesën prej 700 mijë lekësh (të vjetra) në shkurt të vitit 2012.

Që prej 5-vjetësh zonja sorollatej çdo ditë në zyrat e ALUIZNI-t, ku jo vetëm që nuk i kthenin përgjigje por edhe i përplasnin e i mbyllnin dyert, madje muajin e fundit i kishin thënë që dokumentet e dosjes së saj kishin humbur.

Për vite me radhë, ajo i ka dërguar letra ankese çdo institucioni përgjegjës, deri tek Avokati i Popullit por deri dje nuk ishte zgjidhur asgjë sepse punonjësit e ALUIZNI-t Berat, dilnin me pretendimin se shtesa nuk mund të legalizohej sepse komshiu në katin e dytë kërkonte të bëhej bashkëpronar.

“Ajo çfarë më ka irrituar dhe që më detyroi t’i drejtohesha kryeminsitrit Rama ka qenë një shkresë që ma dhanë në zyrat e ALUIZNI-t ku shkoja përditë dhe në letër më kërkohej që t’i drejtohesha Gjykatës së Beratit ku të merrja një shkresë në të cilën duhet të shkruhej se nuk kishte asnjë çështje gjyqësore me persona të tjerë për këtë pronë”, deklaron e moshuara.

Zonja Caka thotë se dje në mëngjes ka marrë një telefonatë nga punonjësit e ALUIZNI-t Berat dhe i është kërkuar të shkojë në zyrat e këtij institucioni për të tërhequr “Lejen e Legalizimit” të objektit të saj.

“Pasi kam shkuar në zyrën e drejtorit të ALUIZNI-t Berat, – tha Caka- i kam thënë që stafi i tij e ka marrë në qafë dhe drejtori është justifikuar duke thënë se stafin e kanë punësuar deputetët dhe jo ai”.
77-vjeçarja Hëna Caka deklaron se pas heqjes nga detyra të Drejtorit të ALUIZNI-t, Përparim Sino dhe njërit prej punonjësve që u mor me dosjen e saj, ajo ndihet e kërcënuar dhe ka frikë se mos hakmerren ndaj familjes dhe fëmijëve të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button