Rama shpërndan pamjet! Reagon për Banjat e Bënjës: Histeri digjitale dhe manipulim i realitetit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar këtë të shtunë për debatet dhe lajmet e shpërndara në rrjete sociale lidhur me gjendjen e Banjave Termale të Bënjës në Përmet.
Në një deklaratë të gjatë publikuar në rrjetet sociale, Rama i cilësoi reagimet dhe pamjet e shpërndara online si pjesë të asaj që ai e përshkruan si “histeri digjitale”, duke akuzuar grupe të caktuara dhe organizatorë protestash për manipulim të opinionit publik dhe përdorim të rrjeteve sociale për të ndikuar perceptimin mbi realitetin në terren.
Ai u ndal veçanërisht te Banjat Termale të Bënjës, të cilat i përshkroi si një destinacion turistik që sipas tij është transformuar dhe zhvilluar në kuadër të projekteve të rindërtimit urban, duke kundërshtuar pamjet që qarkullojnë në internet dhe që sugjerojnë degradim apo shkatërrim të zonës.
Në deklaratë, kryeministri bëri gjithashtu një krahasim me Zvërneci, duke theksuar se në disa raste, sipas tij, janë shpërndarë narrativa të ngjashme edhe për destinacione të tjera turistike në vend.
Rama e paraqiti debatin si pjesë të një përplasjeje më të gjerë mes dy “vizioneve” për vendin, një Shqipëri që, sipas tij, synon integrimin europian dhe zhvillimin përmes reformave dhe investimeve, dhe një tjetër narrativë që e cilësoi si negative dhe të ndikuar nga manipulimi në rrjetet sociale.
Ai theksoi gjithashtu se fenomeni i informacionit të shpejtë në internet shpesh përzien burime të verifikuara me përmbajtje të pasaktë, duke krijuar, sipas tij, një realitet të deformuar për publikun.
STATUSI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
Ky është realiteti i një destinacioni turistik, i cili dy ditët e fundit u bë shënjestër e histerisë digjitale të organizatorëve të vërtetë të protestës – ekstremistëve të dukshëm që predikojnë “plumbin tradhëtarëve”, që paguhen për të dirigjuar turmën të këndojë “burg tradhëtarëve”, që bashkë me duart e padukshme të armiqve të Shqipërisë e të kundërshtarëve të përparimit të saj, turrin me furinë e algoritmit lukunira korbash e sorrash virtuale mbi këdo që nuk e do apo e dyshon “Shqipërinë e re” të syve të tyre.
Fatmirësisht, ndryshe nga Zvërneci, ku nuk ka ende një projekt për t’ua përplasur si shuplakë të realitetit të tërë këtyre lajmësve të errësirës prej nga Shqipëria ka dalë e ku Shqipëria nuk do kthehet më kurrë, Banjot Termale të Bënjës janë një shembëlltyrë e Rilindjes Urbane, që i përqesh me neveri pamjet e shpërndara anembanë kanaleve sociale, ku duke vënë kujën për betonizimin e për tharjen e ujrave nga kuçedra e korrupsionit, u synua ringritja e protestës së lodhur të bulevardit me të njëjtin inxhinjerim digjital si për Zvërnecin.
Kemi hyrë në një epokë ku ujrat e burimeve të komunikimit e të informimit, burimet shkencore, zyrtare apo gazetareske si ato të kohës kur çdo lajm verifikohej nga dy burime, rrjedhin në të njëjtat kanale me ujrat e zeza të burimeve biologjike të urrejtjes, zilisë, mllefit, gënjeshtrës e paditurisë, të cilat kanë avantazhin e shpejtësisë marramendëse që u jep algoritmi dhe të lehtësisë me të cilën gëlltiten nga njeriu i kthyer në skllav i algoritmit.
Por ja, dy pamjet e kundërta, nga njëra anë “Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhëtarët”, krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë, duke keqpërdorur ndjenjat, hallet, ndërgjegjen e pastër të shumëkujt që ka sot një arsye për të protestuar dhe nga ana tjetër, Bënja e Rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë.
Kjo është nuk është një luftë mes protestuesve dhe qeverisë, as një luftë mes organizatorëve e financuesve të këtij “revolucioni” dhe meje, po një luftë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian përmes vështirësive, punës, gabimeve, korrigjimeve, rezultateve reale dhe një “Shqipërie të re” dështakësh, si korbat e sorrat e mbledhur nga të katër anët e rrugëve të jetës rreth sheshit televiziv të protestës, të cilët lëpijnë e helmojnë çdo protestues e shqiptar të ndershëm, që një hall a shqetësim i sinqertë e shtyu drejt bulevardit apo e mban lidhur akoma me protestën, përmes nevojës që ai hall të zgjidhet e ai shqetësim të adresohet ndershmërisht. Gjithkush le të zgjedhë pasqyrën që do.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.