Rama takim për rreth një orë me Metën, në kryesinë e Kuvendit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në mëngjes një takim me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.
Ndonëse nuk ka patur një njoftim zyrtar për këtë takim në Kryesinë e Kuvendit, mësohet se është diskutuar rreth situatës më të fundit politike në vend.
Në takimin i cili zgjati rreth një orë, mësohet se Rama dhe Meta kanë diskutuar edhe për mënyrën dhe modalitetet e daljes në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Nisja e negociatave për zgjedhjet lokale, u njoftua dy javë më parë nga Kryeparlamentari, njëherësh lideri i LSI-së Ilir Meta.
Në një prononcim për mediat, Meta u shpreh se në ditët në vijim do të ketë bisedime me aleatin e koalicionit të majtë, kreun e PS-së, Edi Rama, për zgjedhjet e 21 qershorit, të vlefshme për pushtetin vendor. “Do të kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për ndërtimin e këtij procesi që unë përmenda më parë, i cili, në çdo rast, do të jetë një proces mjaft parimor dhe konstruktiv dhe do të synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo thjesht kënaqjen e orekseve të njërës apo tjetrës parti, të njërit apo tjetrit kandidat”, tha kryeparlamentari.
Meta theksoi se PS dhe LSI do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje dhe se nuk do të ketë ndarje të zonave në parcela. “Nuk besoj se do të ketë zona të ndara midis PS-së, LSI-së dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësitë, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë pavarësisht siglave, që ata mund të përfaqësojnë, sepse këto nuk janë zgjedhje politike sipas vlerësimit tim. Këto janë zgjedhje lokale, zgjedhje vendore dhe është detyra jonë të ndërtojmë një proces, i cili zgjedh administratorët më të mirë për qytetarët kudo. Pra ky do të jetë prioriteti, një konsensus sa më i gjerë për kandidatët më përfaqësues të komuniteteve, jo thjesht një ndarje politike, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhje politike sipas vlerësimit tim”, deklaroi Meta.