Rama takon në Pogradec liderët e shqiptarëve të Maqedonisë
Një ditë përpara zhvillimit të protestës së madhe, paralajmëruar nga opozita maqedonase, krerët e shtetit shqiptar kanë zhvilluar takime në Tushemisht të Pogradecit me krerët e partive shqiptare në Maqedoni.
Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë zhvilluar një takim informal me liderët e shqiptarëve të Maqedonisë.[wds id=”7″]
Ajo që i është kërkuar faktorit shqiptar atje, është një qëndrim më i unifikuar ndaj përgjigjes që duhet t’i jepet situatës së krijuar në shtetin fqinj, veçanërisht pas ngjarjeve të Kumanovës. Por, duket se nuk ka rezultuar i suksesshëm ky takim, pasi mësohet se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në koalicionin qeverisës të Gruevskit, ka refuzuar një bashkërendim në bllok me të gjitha partitë shqiptare.
Mësohet se kreu i partisë më të madhe shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, është larguar një orë pas takimit me krerët e shtetit shqiptar.
Më shumë sesa prania e Ali Ahmetit, qëndrimi në këtë tryezë të përbashkët i Menduh Thaçit, nuk ka qenë komod për shkak të pranisë së kreut të komunës së Strugës në të, pjesë e partisë së tij gjithashtu. Ky i fundit, pas humbjes së zgjedhjeve të partisë së Thaçit, është shkëputur në një tjetër fraksion të PDSH-së.
Ky takim nga mediat në Maqedoni komentohet se nuk ka lënë të kënaqur kryeministrin shqiptar Edi Rama, në përpjekjen për bashkërendimin e veprimeve të partive shqiptare, për shkak të qëndrimeve të Ali Ahmetit. Mësohet se Tirana do të vijojë komunikimin intensiv me drejtuesit e partive shqiptare të Maqedonisë, komunikim që mesa shihet nuk është aq i thjeshtë me BDI-në, partinë në pushtet të shqiptarëve.