Rama takon punonjësit e rinj të administratës: Punoni, jo të flini!
Kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar punonjësit e rinj të administratës publike që fituan vendet e punës pas konkursit publik, se nuk e kanë të sigurt vendin e punës nëse abuzojnë me detyrën ose nuk punojnë siç duhet.
Kreu i qeverisë, gjatë një takimi në selinë e kryeministrisë, tha se do të ketë trajnime dhe testime të herë pas hershme për të provuar nëse këta punonjës e meritojnë plotësisht punën që kanë fituar përmes konkursit.
Konkursi për vendet e hapura nga Departamenti i Administratës Publike, është vlerësuar nga Rama si një proces përzgjedhjeje transparent, sipas standardeve moderne.
“Sfida jonë është shumë më e madhe se kaq, sepse përmes kësaj strukture ligjore, ligji siguron konkurrencë dhe përzgjedhje sipas meritës, – u shpreh kryeministri. – Por kjo nuk duhet të kthehet në një jorgan, në të cilin ai që punësohet në administratë t’ia fusë gjumit. Kjo nuk do të thotë se nuk ka zot që e lëviz nga vendi i punës. Përmes një testimi periodik, ju duhet të provoni se jeni të duhurit për atë vend punë”.