Rama takon Vuçiç: Të rritet kujdesi ndaj shqiptarëve të Preshevës
Kujdesi i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ishte kryefjalë e takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Beograd me homologun serb, Aleksandar Vuçiç.
Ndërsa me kryeministrin kinez, Li Keqiang, sipas Ramës është arritur mirëkuptim i plotë për nevojën e rritjes së mbështetjes financiare të Kinës ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit.
“Takim me kryeministrin Vuçiç për rritjen e ritmit të bashkëpunimit dhe rritjen e kujdesit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”,shkruan Rama për takimin me Vuçiç.
Po ashtu përmes rrjeteve sociale, Rama përcjell edhe takimin me kryeministrin kinez.
“Mirëkuptim i plotë me kryeministrin Li Keqiang për nevojën që Kina të rrisë mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë dhe rajonit, Ndryshime reale”.
Takimi Rama-Vuçiç vjen një muaj pas vizitës së Ramës në Beograd, ku gjatë konferencës për shtyp dy Kryeminsitrat shkëmbyen polemika për Kosovën.
Gjatë qëndrimit në Beograd, Rama do të ketë takime edhe me homologët të tjerë të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.
Ndërkohë sot samiti mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendore dhe Lindore vijon ditën e dytë të punimeve në kryqytetin serb.
Në ditën e parë të punimeve, kryeministri kinez Li Keqiang premtoi 10 miliardë dollarë për vendet e rajonit, për investime kryesisht në infrastrukturë.
Edhe kryeministri shqiptar Rama foli gjatë samitit, duke u shprehur se investimet kineze do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit.