Rama: Të huajt s’po bëjnë resorte vetëm për të pasurit
Edi Rama nuk ka humbur rast për t’u kthyer përgjigje qytetarëve që kërkojnë anulimin e projektit për Zvërnecin. Nga konferenca e tretë kombëtare e arsimit dhe formimit profesional, prerazi mohoi që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte vetëm për të pasurit.
“Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe”.
Poshtë hodhi edhe idenë se investime të këtij lloji kanë për qëllim shkatërrimin e natyrës.
“Është një ide e lindur nga padija totale, sepse është e kundërta. Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze ndërkombëtare të ketë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jetë shkaktarja kryesore e dëmeve që janë bërë mjedisit. E kundërta është e vërtetë”.
Pas Portit të Durrësit, investimin në zonën e Zvërnecit e sheh si sukses të Shqipërisë në turizëm, interesi për të cilin thotë se vite më parë ka qenë zero.
“I pari interesim, interesim për portin turistik të Durrësit. Pasi u hap rruga për atë, ka filluar të ngrihet interesi për të investuar. Deri para disa vitesh s’kemi pasur asnjë interesim, zero. Nuk është se kemi një numër të madh të investitorëve të huaj në turizëm, sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm”.
Sërish u mor me influencerët që, sipas tij, nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj që vijnë të punojnë në Shqipëri.
“Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët se në Kroaci, nuk ka! Cili është problemi? Problemi është që ata, të cilët nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata të cilët kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet këtu si skllevër, ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe si në Kroaci. Ose nuk janë fare në atë fushë, nuk janë fare në nevojë për një punë, përkundrazi punojnë në Instagram dhe japin intervista se si jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj”.
Shqipëria sipas Ramës vuan për punonjës të kualifikuar dhe si shembull të turizmit elitar sjell Zvicrën.
“Detyra jonë është që ta shtojmë numrin e shkollave të turizmit që janë të lidhura me aktorë të nivelit të EHL-së. Zvicra ka paga shumë të larta për arsye të thjeshtë, sepse ka mundësinë që të jetë e shtrenjtë, sepse ka cilësi shumë të lartë të ofertës së vet”.
Pavarësisht avancimit drejt Inteligjencës Artificiale, miqtë europianë i garantoi se në bregdetin dhe alpet e Shqipërisë do të gjejnë në vend të robotëve mikpritjen vendase.
“Nuk ma ha mendja se turistët gjermanë kur të vijnë në Shqipëri do pranojnë në vend të mikpritësve shqiptarë të mirëtrajnuar nga Zvicra, robotë që t’ju flasin shqip ose që t’ju flasin gjermanisht, madje dhe t’ju thonë ‘mirë se erdhët’, se gjermanët pak janë robot vetë, pak edhe t’i presin robotët në Shqipëri vetëm të çmenden fare. Do vijnë këtu pikërisht për atë pjesë që është pjesa e pushimeve, e kënaqësisë etj”.
Arsye kjo, sipas Kryeministrit, që e bën të mundur ambicien që brenda vitit 2030 një në tre nxënës të ndjekë arsimin profesional, ku turizmi shihet si një ndër degët kryesore të ekonomisë.
Tv Klan
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.