Rama u përgjigjet akuzave për Sazanin dhe Zvërnecin: Fakte jashtë kanaleve të turbullta, Sazani nuk shitet, në Zvërnec mbrohet mjedisi
Përmes një reagimi të gjerë në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me dy prej projekteve turistike më të debatuara të kohëve të fundit: zhvillimin e Ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit. Duke i cilësuar argumentet e tij si “fakte jashtë kanaleve të turbullta të internetit”, kreu i qeverisë ka hedhur poshtë akuzat për tjetërsim të pronave publike apo shkatërrim të zonave të mbrojtura mjedisore.
Kryeministri ka theksuar prerazi se Ishulli i Sazanit është dhe do të mbetet pronë e patjetërsueshme e shtetit shqiptar. Modeli i investimit i propozuar nuk parashikon shitjen e tokës, por përfshirjen e shtetit si aksioner në këtë zhvillim strategjik turistik.
“Forma e vendosjes në dispozicion të kësaj toke shtetërore për ta kthyer në një destinacion turistik të nivelit më të lartë, është menduar nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit në investim. Bazuar në një proces të detajuar negociatash, shteti do të marrë kuota si palë e përfshirë, ndërsa ishulli do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit shqiptar. Negociatat janë ende të hapura dhe nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare.”, shkruan Rama.
Sipas kreut të qeverisë, investitorët nuk kanë paraqitur ende një projekt arkitektonik apo studim mjedisor të detajuar, por kanë treguar një qasje bashkëpunuese dhe respekt të plotë ndaj institucioneve shqiptare.
Lidhur me zonën e investimit në Zvërnec, Rama sqaroi se bëhet fjalë për një pronë private të regjistruar prej kohësh në kadastër, të cilën investitorët e kanë blerë në mënyrë të ligjshme. Sipas tij, pavarësisht pretendimeve gjyqësore që ekzistojnë mbi këtë pronë nga palë të treta (ish-pronarë dhe ish-anëtarë të kooperativës bujqësore), ligji lejon zhvillimin e pronës nga zotëruesit aktualë të titujve.
“Por ndërkohë, sipas ligjit shqiptar dhe sipas çdo ligji në botë mbi pronën private, pretendimet e palëve të treta nuk e ndalojnë dot as zhvillimin e as shitjen e pronës nga subjektet që e kanë atë të regjistruar në kadastër. Regjistrimet në këtë zonë janë bërë kohë përpara ardhjes së kësaj shumice qeverisëse në detyrë.”, shkruan Rama.
Kryeministri përmendi gjithashtu ndërhyrjen e SPAK-ut për njërin nga shitësit, duke theksuar pavarësinë dhe funksionimin e drejtësisë:
“Rasti e ka sjellë që SPAK-u të kishte një hetim të hapur për njërin nga shitësit e pronës, lidhur me një çështje tjetër. Me kërkesë të prokurorëve e me vendim të gjykatësve, shuma e derdhur nga investitorët për blerjen e asaj pjese të pronës është ekzekutuar si transaksion në favor të investitorëve, pa ka kaluar tek shitësi po në një llogari bankare të ngrirë. Kjo do të thotë se nëse dhe vetëm kur gjykata t’i japë të drejtë njërit apo disa prej pretendentëve të pronës në fjalë, ata do të mund të marrin nga ky fond shumën që u takon.”
Sipas kryeministrit, sa më lart tregon qartë se shitblerja e pronës në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, po lidhet thjesht me marrëdhënien më elementare mes subjektesh private, në një sistem ku e drejta e pronës private është e drejtë themelore e njeriut.
Rama thekson se nga ana tjetër, sa më lart tregon qartë edhe që “organet e drejtësisë kanë vepruar jo vetëm në pavarësi të plotë, po edhe në interes të shtetit e në mbrojtje të së drejtës së pronës private, qoftë kur e kanë konsideruar korrekt transaksionin e kryer nga investitorët, qoftë kur kanë vendosur vendosjen e shumës në një llogari të ngrirë.”
Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) e kishte refuzuar fillimisht masterplanin në shtator 2024, duke kërkuar ulje të intensitetit të ndërtimit dhe mbrojtje strikte të lagunës. Vetëm në mars 2026 u miratua një leje zhvillimore (jo leje ndërtimi) mbi një draft të ri ku ishin reflektuar kërkesat shtetërore.
Rama ka qenë i prerë ndaj pretendimeve se qeveria i ka hequr statusin mbrojtës zonës në Zvërnec, duke i cilësuar ato si të pavërteta të mëdha. Ai sqaroi se zona nuk preket nga ndërtimet dhe nuk ka lidhje me Deltën e Vjosës (e cila është Park Kombëtar i Kategorisë I).
“Lajmi për heqjen e statusit të zonës përkatëse zhvillimore si zonë e mbrojtur, me qëllim hapjen e rrugës për këtë investim, është njëra prej të pavërtetave më të mëdha që janë fryrë përtej çdo imagjinate. Zona «Pishë Poro – Nartë» s’ka ndryshuar asnjëherë kategorinë si « Peisazh i Mbrojtur », qysh në 2004 kur është shpallur si e tillë për herë të parë.”, thekson Rama.
Sipas standardeve ndërkombëtare të IUCN (Kategoria V), peizazhi i mbrojtur lejon bashkëjetesën harmonike të vlerave natyrore me aktivitetin njerëzor dhe infrastrukturor, me kusht miratimin nga KKT.
Përpara se të nisë çdo lloj punimi ndërtimor, investitorët duhet të plotësojnë një sërë detyrimesh teknike dhe ligjore, duke kaluar nëpër filtrat e mëposhtëm:
Kryeministri e ka mbyllur mesazhin e tij duke garantuar se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga vizioni për transformimin e saj ekonomik:
“Faktet janë më lart. Kushdo që do përpiqet ta tërheqë Shqipërinë prapë poshtë, nuk do t’ia dalë kurrë më. Së bashku ne do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal“.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.