Rama zbret nga Dublini në Tiranë! Mbledh Asamblenë e PS në Gjirin e Lalëzit, nga kryeqyteti, lëvizjet në qeveri, zgjedhjet dhe protestat! Çfarë pritet
Partia Socialiste mbledh këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare, në një takim që do të zhvillohet në orën 10:00 në një resort turistik në Gjirin e Lalzit. Mbledhja vjen në një moment me zhvillime të rëndësishme politike për mazhorancën, ndërsa në fokus pritet të jenë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, organizimi i partisë dhe çështjet që kanë krijuar diskutime brenda kampit socialist.
Axhenda zyrtare e mbledhjes nuk është bërë ende publike. I vetmi zhvillim i konfirmuar është fjala që pritet të mbajë kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama.
Një prej çështjeve që pritet të marrë vëmendje është mënyra se si socialistët do të përzgjedhin kandidatët për 46 bashkitë e vendit. Edhe pse në media kanë qarkulluar emra të mundshëm për disa prej garave kryesore, nga Partia Socialiste nuk ka ende një proces të bërë publik për kandidaturat dhe kriteret që do të ndiqen.
Në Tiranë, një prej emrave që ka shprehur interes për një proces të brendshëm përzgjedhjeje është deputeti Erion Braçe. Ai ka deklaruar se do të kërkojë që kandidatët të përcaktohen përmes një gare brenda partisë, ndërsa nuk e ka fshehur ambicien për të qenë kandidati socialist për kryeqytetin.
Përveç përgatitjeve elektorale, mbledhja zhvillohet edhe në një periudhë kur qeveria dhe mazhoranca janë përballur me protesta dhe kritika publike. Kjo është Asambleja e parë Kombëtare e thirrur nga Rama pas protestave të zhvilluara në muajt e fundit, përfshirë ato të tetorit. Në këtë kontekst, vëmendja do të jetë edhe te mesazhet që kryeministri mund të përcjellë për funksionimin e qeverisë dhe përgjegjësitë e drejtuesve politikë.
Një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendjen është raporti mes Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në vëmendje pritet të jetë edhe qëndrimi i ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila ka shprehur publikisht kritika dhe ka paraqitur ide për mënyrën se si duhet të funksionojë Partia Socialiste. Asambleja mund të jetë një moment për të parë nëse këto propozime do të marrin trajtë konkrete brenda strukturave të partisë.
Një tjetër element me rëndësi do të jetë përcaktimi i rolit të drejtuesve politikë të qarqeve në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe mënyra se si do të organizohet fushata elektorale.
Asambleja e kësaj të shtune është mbledhja e parë e këtij forumi pas nëntë muajsh. Takimi i fundit u zhvillua më 21 mars, ndërsa mbledhja e sotme pritet të japë sinjale mbi prioritetet politike dhe organizative të socialistëve në prag të zgjedhjeve vendore.
Nga ana tjetër vlen të theksohet se vendi prej më shumë se 160 ditësh vijon protestat, një zhvillim që ka shoqëruar qëndrime të ndryshme të qeverisë dhe Kryeministrit gjatë këtyre muajve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.