Politika

Raport i OSBE, Raunig: Përmbledhja, një grumbullim informacioni nga raportime të medias

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, reagoi sot në një prononcim për mediat, nga qyteti i Korçës, në lidhje me lajmin e publikuar në disa media mbi ekzistencën e një raporti që flet për lidhjet biznes-politikë.

Ai e cilësoi informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së.

“Lidhur me informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së, dëshiroj të shpreh keqardhjen tonë që ky informacion u bë publik – pa autorizim – dhe objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike”, tha Raunig.

“Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera”, u shpreh ambasadori Raunig.

Ambasadori përsëriti se, “përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës”.

“Prezenca shpreh keqardhjen për shqetësimin që ky informacion mund t’u ketë shkaktuar personave të përmendur në materialin informues. Së fundi, dëshiroj të theksoj marrëdhëniet e shkëlqyera të Prezencës me institucionet shqiptare, veçanërisht me Kuvendin, Qeverinë dhe partitë politike, si dhe hedh poshtë me forcë çdo përpjekje për të minuar këto marrëdhënie. Ne do të vijojmë të punojmë ngushtësisht me të gjithë aktorët për të përmirësuar standardet e jetës publike”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig.

Përurohen në Korçë dy zyra për komunikimin e deputetëve të këtij rajoni me zgjedhësit

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig mori pjesë sot në përurimin e dy zyrave për komunikimin e deputetëve të qarkut të Korçës me zgjedhësit.

Hapja e këtyre zyrave – të parat në Shqipëri – është mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në kuadrin e projektit “Ndërtimi i urave ndërmjet parlamentit dhe shoqërisë civile”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

“Prezenca e OSBE-së ka qenë një partnere e ngushtë e Kuvendit të Shqipërisë për një dekadë tashmë, dhe kemi punuar së bashku për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e këtij institucioni”, tha ambasadori Raunig në fjalën e tij.

“Deputetët duhet t’i dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë ata siç duhet dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrën e duhur. Sa më shumë të dijë publiku për aktivitetin e parlamentit, aq më mirë ai mund të shprehë preferencën e tij dhe t’u kërkojë llogari përfaqësuesve të tij. Sa më shumë deputetët të dinë për nevojat dhe shqetësimet e elektoratit, aq më mirë mund t’u përgjigjen nevojave të tyre”, theksoi Raunig.

Për këtë arsye, vijoi ai, “ky hap kaq i prekshëm që po merret sot nga Kuvendi, së bashku me bashkinë e Korçës, Prezencën e OSBE-së dhe Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim, për të hapur zyra të komunikimit me zgjedhësit në Korçë është kaq i rëndësishëm. Këtu, qytetarët jo thjesht mund të takohen me deputetët e zonës së tyre, por gjithashtu mund të mësojnë më shumë për mënyrën se si funksionon Kuvendi dhe se si ata mund të komunikojnë dhe bashkëveprojnë me të”.

Këto zyra, nënvizoi ambasadori Raunig, “do të ofrojnë një vend ku qytetarë të ndryshëm, përfshi këtu të rinjtë, gratë dhe grupet në nevojë, mund të gjejnë informacion dhe të angazhohen në mënyrë aktive në procesin ligjvënës. Në këto pika të komunikimit mes Kuvendit dhe qytetarëve, qytetarët mund të marrin ndihmë dhe informacion mbi punën e deputetëve të tyre. Në fund të fundit, informimi i qytetarëve për punën e parlamentarëve nuk është vetëm detyrë e medias, por është edhe përgjegjësia e vetë parlamentit”.

“Zyrat e komunikimit me zgjedhësit do të ofrojnë, gjithashtu, një vend ku qytetarët mund të komunikojnë me Kuvendin dhe me deputetë të veçantë, të ndajnë drejtpërdrejt shqetësimet dhe idetë e tyre, si dhe të ofrojnë mendimin e tyre për nisma të ndryshme ligjvënëse. Ky është ilustrimi i vendosmërisë sonë afatgjatë për të krijuar një marrëdhënie më aktive dhe më të shëndetshme mes qytetarëve dhe institucioneve. Shoqëria civile dhe parlamenti po fillojnë të shtrijnë duart drejt njëri-tjetrit. Por ata kanë ende shumë punë për të bërë, dhe ne jemi të vendosur t’i ndihmojmë të dyja palët të zvogëlojnë hendekun përmes mbështetjes së nismave të tilla”, tha Raunig.

“Marrëveshja e bashkëpunimit, e firmosur mes Kuvendit dhe Bashkisë së Korçës, është e para në llojin e saj”, tha Raunig, duke shtuar se, “kjo tregon gatishmërinë e tyre për të konsoliduar dhe forcuar demokracinë në Shqipëri duke rritur pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të publikut të gjerë në procesin ligjvënës. Kjo, gjithashtu, u shërben deputetëve dhe komunitetit për të forcuar besimin dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin në nivelin lokal”.

Sot, theksoi ambasadori i OSBE, “kemi të pranishëm deputetë të rajonit të Korçës nga parti të ndryshme. Në Kuvend ata përfaqësojnë jo vetëm partinë e tyre, por edhe qytetarët që votuan për ta. Të zgjidhesh anëtar i Kuvendit është një nder i madh, por kjo gjithashtu nënkupton përgjegjësi të mëdha, si përfaqësues i qytetarëve. Politikanët duhet të japin llogari për të gjitha veprimet e tyre. Për këtë arsye, është e rëndësishme që puna e Kuvendit të jetë sa më transparente, në mënyrë që votuesit të dinë se çfarë bëjnë deputetët e tyre”.

“Qëllimi ynë – qëllimi ynë i përbashkët – ka qenë gjithmonë që të forcojmë bazën e demokracisë shqiptare; të fuqizojmë pjesëmarrjen; të rrisim besimin. Në fund të fundit, një parlament që funksionon në mënyrë transparente, që është i hapur për qytetarët dhe llogaridhënës, është më efektiv”, u shpreh Raunig.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe zëvendëskryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e cila foli për rëndësinë e afrimit dhe komunikimit të zgjedhësve me deputetët.

Ajo falënderoi Prezencën e OSBE-së për rolin e saj, jo vetëm me projekte të vecanta, por për kontributin konstant për të krijuar një parlament të demokracisë funksionale.

Kryetari i Bashkisë së Korcës, Sotiraq Filo, deputetët e qarkut Gjergji Papa dhe Ilirian Pendavinji gjithashtu falënderuan OSBE-në për kontributin e saj përmes disa projekteve të zhvilluara në Korcë.

Raport për lidhjet biznes-politikë,OSBE: Informacion i mediave lokale, jo qëndrimi ynë zyrtar

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri reagoi dje lidhur me lajmin e publikuar në disa media mbi ekzistencën e një raporti që flet për lidhjet biznes-politikë.

Në reagimin e saj, prezenca e OSBE-së në Shqipëri bëri me dije se është njohur me botimin, e paautorizuar, të disa pjesëve nga një përmbledhje e brendshme e vitit 2014, bazuar në informacion që qarkullonte në publik, për lidhjet e mundshme mes biznesit dhe politikës.

“Përmbledhja bazohej në informacionin e nxjerrë nga raportimet në mediat lokale në Shqipëri, si background për klimën politike dhe për akuzat që qarkullonin në publik në atë kohë. Ne nuk mund të komentojmë lidhur me vërtetësinë e raportimeve në media. Përmbledhja nuk pasqyron asnjë qëndrim zyrtar apo gjykim të OSBE-së”, nënvizon OSBE në njoftimin zyrtar.

Më tej, OSBE shton se “prezenca e OSBE-së beson fuqimisht në rëndësinë themelore të etikës në jetën publike dhe do të vijojë të punojë me Kuvendin e Shqipërisë dhe me të gjitha partitë politike për ta theksuar këtë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button