Raporti i KE-së ndez debatet në Kuvend, Bardhi përplaset me Peleshin: I keni vënë kyçin Parlamentit! | JavaNews.al
Me debate ka nisur këtë të martë mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku në fokus ishte kërkesa e opozitës për diskutimin e raport-progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të Rregullores, duke argumentuar se mbledhja është thirrur në ditën e nëntë nga depozitimi i kërkesës së opozitës, ndërkohë që neni 98 parashikon një afat treditor.
“Sot jemi në ditën e 9-të dhe ju, në shkelje të Rregullores, nuk kujdeseni as formalisht për të trajtuar një kërkesë që është e drejtë e opozitës. Pra, ju e mblidhni Konferencën e Kryetarëve kur të keni ju kohë, kur dëshironi ju, jo kur ju urdhëron Rregullorja e Kuvendit”, deklaroi Bardhi.
Kreu i deputetëve demokratë akuzoi mazhorancën për mungesë të kontrollit parlamentar, përshpejtim të procedurave ligjvënëse dhe emërime të njëanshme politike në krye të institucioneve.
“Nën drejtimin tuaj parlamentarizmi në këtë vend është hedhur në erë. Nuk ka kontroll parlamentar, nuk respektohen të drejtat e opozitës, procesin ligjvënës e bëni si të dëshironi ju: vjen ligji sot dhe për dy ditë e fusni në seancë plenare. … Praktikisht, i keni vënë kyçin Parlamentit, e trajtoni Parlamentin sikur të jetë partia juaj”, tha ai.
Bardhi kërkoi shpjegime nga Peleshi për tejkalimin e afatit, ndërsa kundërshtoi argumentin se angazhimi i komisioneve parlamentare ka penguar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Duke marrë si shembull Kuvendin e Kosovës, ai tha se atje, vetëm dy ditë pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, ishte zhvilluar një seancë e jashtëzakonshme për diskutimin e tij, me kërkesë të opozitës.
Sa i përket raport-progresit të vitit 2026, Bardhi kërkoi hartimin e një kalendari të përbashkët parlamentar për adresimin e shqetësimeve të ngritura nga Komisioni Evropian, disa prej të cilave, sipas tij, përsëriten nga viti në vit.
“Kuvendi duhet të jetë i angazhuar për të adresuar me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet që Komisioni Evropian i ka bërë Shqipërisë në raportin e vet vjetor, duke e trajtuar këtë raport jo thjesht si një dokument politik, por mbi të gjitha si një dokument pune, për të cilin bashkërisht, në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të kemi një kalendar se si do të adresojmë secilin shqetësim”, u shpreh Bardhi.
Një tjetër çështje e ngritur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së ishte moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Bardhi akuzoi mazhorancën se prej muajsh po zvarrit zbatimin e vendimit për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
“Gjykata Kushtetuese ju ka urdhëruar që në korrik, po mbaron nëntori dhe ne ende nuk kemi ekzekutuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, e shfrytëzoj edhe këtë hapësirë në Konferencën e Kryetarëve për t’ju bërë thirrje që të reflektoni, të zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të respektoni të drejtat e opozitës”, deklaroi Bardhi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.