Bota

Raporti për Rusinë: Demokratët vazhdojnë presionin mbi Trumpin

Demokratët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi presidentin Donald Trump, edhe pas publikimit të raportit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ata duan që Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që ka hartuar raportin, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për punën që ka bërë.

Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij. Por, Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.

Gjetjet e tij u detajuan në një raport 448 faqesh, pjesërisht të redaktuar, që u publikua të enjten.

Ky raport po ashtu nxori në pah fushat ku Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mund të përballen ende me probleme ligjore.

Raporti u mirëprit nga Trumpi, i cili rikujtoi deklaratat e tij se ai dhe bashkëpunëtorët e tij as nuk kanë bashkëpunuar me zyrtarët rusë, as nuk kanë bërë përpjekje të pengonin hetimet.

Duke folur në një ngjarje për veteranët, Trump tha se po kalon një “ditë të mirë”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë bashkëpunim” me Rusinë dhe as pengim të drejtësisë.

Përfaqësuesi demokrat, Jerrold Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi që Kongresi të ketë raportin e plotë, të paredaktuar të Muellerit.

“Këshilltari i posaçëm e bën të qartë se nuk e ka shfajësuar presidentin dhe tani përgjegjësia është te Kongresi, për ta bërë presidentin përgjegjës për veprimet e tij. Kongresi duhet ta ketë raportin e plotë, të paredaktuar, së bashku me provat e mbledhura nga këshilltari i posaçëm, Mueller”, tha Nadler.

Përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, mbajti një konferencë për media në Uashington, ku dha detaje mbi raportin.

Barr tha se hetimet nuk kanë gjetur prova se Trump ose anëtarët e fushatës së tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje.

Barr, i cili ka publikuar një përmbledhje prej katër faqesh të raportit në fund të muajit të kaluar, po ashtu tha se raporti i Muellerit nuk paraqet asnjë dëshmi se Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button