Raporti, Shqipëria në krye të rajonit për reformat dhe liberalizimin e tregut
Zyra Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë, prezantoi sot raportin vjetor mbi “Tranzicionin 2014”, i cili e rendit Shqipërinë në krye të rajonit për sa i përket reforma të ndërmarra nga qeveria dhe liberalzimit të tregut.
Shqipëria merr pikën maksimale 4+ (vlerësimi nga 1 deri 4+) për shkallën e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha dhe të vogla, duke qenë më mirë se Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe duke u barazuar në nivel me Bullgarinë dhe Rumaninë, thuhet në raportin e BERZH, i cili ndër të tjera evidenton pozitivisht ecurinë në drejtim të konkurrencës, tregut të punës, dhe zhvillimit të koorporatave.
Raporti i Tranzicionit 2014, është një raport vjetor që përgatitet nga BERZH në lidhje me progresin e reformave dhe zhvillimet ekonomike të 35 shteteve ku operon kjo Bankë.
Sipas ketij raporti : Konkurrenca dhe liberalizimi
Shqipëria merr vlerësim maksimal për liberalizimin e çmimeve në treg (4+), në të njëjtin nivel me Bullgarinë, Rumaninë e Maqedoninë, pak më mirë se Serbia dhe vendet e tjera të rajonit. Të njëjtin vlerësim Shqipëria e merr edhe në fushën e shkëmbimeve tregtisë dhe valutore, ndërkohë që vlerësohet më poshtë (2+) për konkurrencën.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Shqipëria është në terren pozitiv për klimën e krijuar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla private (SME). “Tri vende, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë përmirësuar në treguesin e rritjes së numrit të SME-ve. Ato kanë afruar lehtësi në financimin për SME-të, përveç përmirësimit të aftësive të oficerëve të kredisë në departamentet e kreditimit që trajtojnë kërkesat e SME-ve.
Sipas raportit, në sektorin e korporatave në agrobiznes, industri, “real estate” dhe teknologjinë e komunikimit, Shqipëria vlerësohet të ketë një zhvillim mesatar. Po këtë notë merr edhe energjetika, qoftë për numrin e burimeve energjetike, për burimet natyrore dhe për prodhimin e energjisë elektrike. E nivelit të lartë është vlerësimi për ujësjellësit dhe kanalizimet, infrastrukturën rrugore dhe transportin urban. Gjithashtu, sektori financiar merr vlerësime mesatare dhe të larta.
Tregu i punës
Ndërkohë, tregu i punës vlerësohet i zhvilluar në shkallë të lartë (large), kurse niveli arsimor vlerësohet në mënyrë minimale (small). Këto vlerësime e rendisin Shqipërinë më mirë se Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi. Në një tabelë më të detajuar për këta tregues, Shqipëria merr vlerësim mesatar për strukturën e tregut të punës, ka nivel të lartë për mundësitë që u ofrohen të rinjve, nivel të ulët për vitet e arsimit që ka kryer mesatarisht një i punësuar.
Barazia gjinore
Sipas komenteve të BERZH-it në lidhje me mangësitë e aktivizimit të të rinjve, shumica e vendeve të rajonit kanë përmirësime, ndërsa ka ulje kryesisht në fushat e arsimit, përfshirjen financiare dhe strukturën e tregut të punës. Ka pasur disa përmirësime në cilësinë e arsimit, sidomos në Shqipëri dhe Mali i Zi.
Papunësia
Sipas raportit, papunësia mbetet vazhdimisht e lartë në një numër vendesh të Europës Lindore dhe në Ballkan. Shqetësim i veçantë janë nivelet e larta të papunësisë afatgjatë (përqindja e njerëzve në forcë pune, të cilët kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj). Papunësia afatgjatë është aktualisht rreth 6 për qind në vendet e Europës Lindore dhe 16 për qind në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.