Raunig: Nuk ka ende asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Florian Raunig u shpreh sot se nuk ka ende asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion.
Duke folur gjatë Forumit Kombëtar kundër Korrupsionit, Raunig u shpreh se, strategjia kundër korrpsionit është me shumë rëndësi, por shtoi ai, strategjitë janë pa rezultat nëse bëhen pa mjetet e duhura.
Sipas Ambasadorit Raunig, perceptimi për korrupsionin në Shqipëri është ende i lartë. Ambasadori Raunig theksoi se, nevojiten veprime më energjike për të luftuar korrupsionin
Sipas tij, 11% e PBP-së është përdorur nga publiku për të paguar rryshfet. Ambasadori i OSBE u shpreh gjithashtu se, do të nisë një projekt i ri për luftën ndaj korrupsionit
Në këtë Forum të organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, Ministrat e kabinetit qeveritar do të shpalosin një bilanc të arritjeve dhe punës së bërë për të luftuar fenomenet korruptive.
Ministrat do të raportojnë përpara qytetarëve shqiptarë dhe dialogojnë me ta, mbi aksionet e ndërmarra në 12 muajt e fundit si dhe reformat afatgjata të cilat po projektohen dhe që kanë si qëllim final shërbime më cilësore për qytetarët, një shtet të modernizuar dhe tërësisht transparent.
Përveç kryeministrit Rama dhe ministrave të qeverisë. Të pranishëm në këtë aktivitet janë edhe Ambasadori Florian Raunig, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile etj