Referendumi në Greqi, gjykata: Asnjë pengesë ligjore; Ja sondazhet… Tsipras: Raporti i FMN-së përligji vendimin tonë
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një mesazh të tretë televiziv brenda pak ditësh, u ka bërë përsëri thirrje grekëve të votojnë kundër paketës së ndihmës, që i paraqesin huadhënësit Greqisë.
Mesazhi i tij erdhi vetëm pak momente para se Gjykata më e lartë Administrative e vendit të refuzonte apelin për të pezulluar referendumin e së dielës, siç citohen 4 zyrtarë të gjykatës nga “Reuters”, duke i hapur rrugë mbajtjes së tij pa asnjë pengesë ligjore.
“Çfarëdo të kemi zgjedhur të dielën, absolutisht asgjë nuk duhet të na ndajë të hënën. Askush nuk e vë në dyshim praninë tonë në Evropë. Vota ‘Jo’ për një marrëveshje, që nuk është jetike, nuk do të thotë një shkëputje me Evropën. Ajo nënkupton vazhdimin e negociatave me kushtet më të mira për popullin grek. Kështu që, unë ju ftoj të gjithëve të thoni ‘Jo’ ndaj ultimatumeve, ndaj shantazheve, ndaj fushatës së terrorit”, tha kryeministri grek Aleksis Tsipras.
Tsipras i është refereruar raportit të FMN-së, që kërkon si zgjidhje për çështjen greke reduktimin e borxhit të vendit, një prej kërkesave që edhe Greqia e ka paraqitur ndaj kreditorëve. Gjithashtu, ky raport ka theksuar se, Athinës do t’i duhet, që të dalë nga rruga e shkatërrimit, një paketë e tretë ndihme prej 50 miliardë eurosh.
“Dje, një ngjarje e një rëndësie tepër të madhe politike ndodhi, – tha Tsipras. – FMN-ja publikoi një raport mbi ekonominë greke, e cila është njëkohësisht edhe një përligjje e madhe për qeverinë greke, pasi ai raport konfirmoi qartësisht se borxhi grek nuk është i qëndrueshëm”.
Ndërkohë, kreu i opozitës, Antonis Samaras ka deklaruar në mesazhin e tij televiziv se, kryeministri Tsipras kërkon të ndryshojë ecurinë europiane të vendit dhe se, as që ka për të sjellë një marrëveshje brenda 48 orësh – siç premton, – pas mbarimit të referendumit.
Pas një mbledhjeje urgjente të ministrit të Financave, Yanis Varoufakis, me drejtorët e 4 bankave kryesore të Greqisë, është bërë me dije se, bankomatet (ATM) do të kenë parà ‘cash’ për të tërhequr qytetarët deri ditën e hënë, pas referendumit, më pas çdo gjë do të varet nga BQE.
Në krahun tjetër, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble tha gjatë një interviste për një të përditshme gjermane se, ai vetë parashikon që çdo bisedim me Greqinë mbi një marrëveshje ndihme në këmbim të reformave do të jetë “tejet i vështirë” pas referendumit të së dielës në Greqi.
“Greqia ka nevojë për reforma, por tashmë e di qartësisht se këto do të jenë negociata tepër të vështira”, ka thënë Schaeuble për të përditshmen “Bild”. Ai ka shtuar se situata në Greqi “është përkeqësuar ndjeshëm” gjatë javëve të fundit.
Por çfarë do të ndodhë me referendumin e së dielës?
Disa orë para se grekët të shkojnë drejt kutive të votimit, për të votuar ‘pro’ ose ‘kundër’ paketës së ashpër të masave të huadhënësve, 3 sondazhe të fundit tregojnë se të dyja mundësitë kanë pothuajse të njëjtën përqindje. Në dy sondazhe, kahu i atyre që votojnë “Jo” kryeson me 0.5%, ndërsa në të tretin janë votuesit që thonë “Po”, ata që kryesojnë me 1,4%. Të pavendosurit shkojnë deri në 11%, ndërsa 74% – 81% e grekëve duan qëndrimin në Eurozonë.
Sondazhi i kryer nga Instituti “ALCO”, i publikuar edhe në gazetën “Ethnos” të së premtes, bën të ditur se kampi që pritet të votojë “po” është ngjitur në rreth 44,8%, kundrejt kampit që pritet të votojë “jo” me 43,4%. Por ky kryesim është brenda atij që quhet marzh gabimi i sondazhit, ndërsa 11,8% e votuesve janë ende të pavendosur.
“Nuk e di, sepse nuk besoj shumë te sondazhet. Pasi disa herë nuk kanë gjetur saktësisht rezultatet. Edhe në zgjedhjet e fundit nuk dhanë një rezultat të qartë”, tha një qytetare greke.
Ndërsa fushata njëjavore elektorale para referendumit mbyllet me dy mitingje të mbështetësve të dy mundësive në fletën e votimit, në dy vende të ndryshme të kryeqytetit, mitingje në përkrahje të Greqisë dhe të qëndrimit të saj në zonën e monedhës së përbashket zhvillohen në shumë qytete europiane.