Ekonomia

Rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, më pak të ardhura nga renta minerare në buxhet

Rënia drastike e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare do të ulë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Por, ky është një moment i mirë për kompanitë e kërkimit të naftës ndaj në zyrat e autoriteteve shqiptare kanë mbërritur dy kërkesa për të nisur kërkimin e naftës në territorin shqiptar.

Në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, shprehet se të ardhurat nga renta minerare kanë pësuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit. Sipas tij, nëse në vitin 2014 të ardhurat ishin 61.20 milionë dollarë, në vitin 2015 të ardhurat paraprake llogariten 32 milionë dollarë, ndërsa për këtë vit parashikimet janë rreth 22 milionë dollarë, çka duke parë ecurinë e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, duhet pranuar se është një parashikim tejet optimist.

“Nëse çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare zbret poshtë 30 dollarëve, atëherë të ardhurat nga renta minerare në buxhetin e shtetit mund të jenë edhe poshtë 10 milionë dollarëve”, deklaron Dervishi.

Aktualisht, në territorin shqiptar janë 6 kompani që janë në marrëveshje hidrokarbure për nxjerrjen e naftës. Konkretisht Bankers, Pa-Ma, TransAtlantic Ba-Ho, TransAtlantic Ca-Mo, Trans Atlantic Go-Ko, Transoilgroup, Visoka dhe Sherwood, Kuçovë.

Por, thekson Dervishi, pikërisht kjo situatë në tregjet ndërkombëtare që vjen nga rritja e madhe e prodhimit të naftës, përbën një moment të mirë për kompanitë e kërkimit të naftës.

“Ka një interes pozitiv, përgjithësisht në shumë vende të botës nga disa kompani specifike, që janë kompani të mëdha, pasi ndodh një reaksion zinxhir. Duke qenë se në tregjet e naftës ka rënie çmimi e për rrjedhojë edhe prodhimi, shumë nënkontraktorë janë të detyruar që ose të mbeten pa punë ose të ulin çmimet e shërbimeve që ofrojnë. Kompanitë e kërkimit përdorin nënkontraktorët për të kërkuar naftë për disa procese si atë të sondave, shpimit, bërjes së studimeve sizmike, etj. Kështu shumë kompani e shfrytëzojnë këtë moment. Kontraktojnë kompani që kanë probleme me të ardhurat e tyre dhe i shfrytëzojnë për të bërë kërkime naftë me çmime më të ulëta”, deklaron Dervishi.

Në kushtet kur kërkimi i naftës bëhet në sasi shumë të madhe vitesh, sipas Dervishit, nëse ne lidhim sot një kontratë kërkimi të re, kompanisë do t’i duhen të paktën 7 vjet që nga kërkimi të dalë në prodhim.

“Në këtë situatë kompanitë janë optimiste, sepse ky moment do kalohet dhe nuk do të përsëritet më për 10 vite të tjera. Po të shohesh edhe kurbat e çmimit të naftës, luhatjet janë në periudha 10 vjeçare”, thotë Dervishi.

Sipas tij, çmimi i naftës ka rënë për shkak të rritjes së prodhimit. Momentin që ky prodhim do të ezaurohet, Dervishi thekson se do të rritet përsëri çmimi dhe do të ketë nevojë për nxjerrjen e naftës. “Jemi në negociata me disa kompani serioze që të fillojnë kontrata të reja në Shqipërisë, siç është ‘Shell’, një kompani gjigande ndërkombëtare. Me këtë kompani jemi duke negociuar bllokun 4 që përfshin zonën e Beratit, Skraparit. Në negociata jemi edhe me kompaninë më të madhe të kërkimit në Izrael ‘Delek Group’ dhe konkretisht bllokun e Dumresë”, bëri të ditur Dervishi./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button