Reforma Territoriale/ Mazniku: Bashkitë të bëhen më efikase! Boçi: Territori është identitet, jo vetëm hartë politike
Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale-Administrative ka vijuar edhe këtë të premte, më 15 maj, diskutimet për reformën territoriale. Këtë herë, për dëgjesën e gjashtë të radhës, përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës u ndalën në Shkodër për konsultim publik.
Bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku, i cili mori fjalën i pari vuri theksin tek elementët e jetës së përditshme të qytetarëve.
“Ndaj kur ne flasim për mënyrën se si funksionojnë dhe se si duhet të funksionojnë bashkitë, po flasim për një element që prek jetën e përditshme të çdo njeriu që jeton në Shqipëri. Ndaj të pasurit bashki funksionale, nuk është thjesht një element që duhet të na funksionojë mirë ky institucioni, por lidhet që të na funksionojë mirë jeta e përditshme e çdo njeriu në Republikën e Shqipërisë. Ndaj besoj pse kjo ka qenë një aryse pse ky diskutim që po bëjmë ka shfaqur kaq shumë interes.”, tha Mazniku.
Në fjalën e tij, Mazniku foli për katër sfida kryesore, të cilat duhet të adresohen sa i takon kryerjes së kësaj reforme.
Sfida e parë lidhet me eficencën.
“Në pikëvështrimin tonë janë së paku katër sfida kyçe që e ndikojnë shumë mënyrën se si funksionon pushteti vendor. Së pari në këtë moment, na duhet një efiçencë më e lartë e pushtetit vendor, e mënyrës se si funksionojnë bashkitë, si ofrojnë shërbime. Si i zbatojnë kompetencat që kanë. Sot bashkitë kanë 42 kompetenca që i janë dhënë me ligj dhe ne kemi kuptuar që shumë bashki nuk ia dalin dot që t’i kryejnë.”, tha Mazniku.
Së dyti sipas tij, kemi një sfidë demografike, një lëvizje nga fshati drejt qytetit që sipas tij duhet edhe kjo të adresohet.
Së treti na duhet të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm. Mos të kemi disa zona që zhvillohen shumë dhe disa më pak.
“Në asnjë rast nuk ia dalim dot që të kemi një zhvillim të barabartë, por si tja dalim që të kemi një zhvillim më të qëndrueshëm.”, shton ai.
Pika e katërt sipas Maznikut, lidhet me integrimin në BE. Dhe sipas tij pikërisht kjo është edhe sfida më e rëndësishme.
Ndërsa bashkëkryetari demokrat i këtij komisioni, Luçiano Boçi gjatë fjalës së tij lidhur me reformën territoriale, theksoi se sfida më e madhe e saj qëndron pikërisht tek territori.
“Sfida është funksionaliteti, ana administrative dhe katër sfidat që na çuan këtu të çojnë në një kryesfidë apo sfidë të vetme. Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, këtu të gjitha sfidat të çojnë tek territori.
Mos e lejmë si segmenti i dytë, është segmenti parësor. Aq më tepër që politikisht mund të themi që mazhoranca është shpallur agresivisht në këtë drejtim, për uljen sa më të mundshme të numrit të bashkive, siç u bë në vitin 2014.”, tha Boçi.
Më tej ai shtoi se territori është dimensioni “që na jep ne të gjithë të drejtën e ekzistencës, identitetin tonë, dhe rregullon marrëdhënien tonë me pushtetin vendor”.
Ai theksoi se nuk ka mundësi që bashkia “të ushtrojë autoritetin e saj në një largësi shumë të madhe”.
Sipas Boçit, territori nuk është koordinatë gjeografike, por identitet historik, territorial, kulturor e shpirtëror.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.