Reforma zgjedhore, Tabaku: Jam për listat e hapura, sistemi duhet të reflektojë vullnetin e qytetarëve
E ftuar në studion e Euronews me gazetaren Mirela Milori, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, foli për reformën zgjedhore dhe qasjen që do të ketë opozita në këtë proces. Tabaku tha se personalisht është për listat e hapura, ndërsa u shpreh se politika duhet t’u japë qytetarëve një sistem zgjedhor që reflekton vullnetin e tyre.
Sipas Tabakut, ka një mosbesim ndaj klasës politike dhe mënyrës se si funksionon përfaqësimi politik, ndërsa argumentoi se një sistem me lista të hapura do ta lidhte më shumë votuesin me deputetin dhe do ta bënte këtë të fundit më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
“Që të jemi koshientë, ka një mosbesim për klasën politike, një mosbesim se si është sot përfaqësimi politik, mënyrën si ecën para në politikë. Unë besoj te listat e hapura, besoj te një zgjedhje dhe një sistem që e lidh votuesin me deputetin, e bën më të përgjegjshëm, e bën që kur të shkojë atje në Parlament të mos flasë me një mesazh që i vjen, të mos merret me ofendime të kolegëve, por të flasë për qytetarët, kush janë hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Dhe këtë duhet të japim ne si klasë politike, një sistem zgjedhor që reflekton vullnetin e qytetarëve. Sot ky vullnet është i deformuar nga ndryshime të njëpasnjëshme, shpeshherë dhe të njëanshme, dhe 2020 në fakt i vuri një vulë gjithë gabimeve që kanë ndodhur në të shkuarën. Mendoj që qytetarët shqiptarë reflektojnë, por që ky reflektim të vijë me votë, duhet që patjetër ne t’u japim atyre një sistem që e zgjedh deputetin dhe që e bën atë të përgjegjshëm, e bën përgjegjës për atë që përfaqëson në Parlament. Ka humbur koncepti i njeriut politik të zgjedhur me votë. I njeriut politik të zgjedhur me votë, nëse mua dikush më shkruan ‘të kam votuar, hajde më shif këtë rrugën’, unë shkoj në tetë të mëngjesit e shoh. Besoj që protesta është këmbanë alarmi për shoqërinë shqiptare dhe një moment zgjidhimi për ne si politikë. Unë kam dalë në 80 për qind të rasteve në protestë. Janë zëra që duhen dëgjuar. Shoqëria shqiptare është ngritur në këmbë. Aty është shoqëria shqiptare ngritur në këmbë”, tha ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.