Regjistrohet në KQZ koalicioni i djathtë me 15 parti Aleanca Pupullore për Punë dhe Dinjitet. Sot afati i fundit
Partia Demokratike ka dorëzuar sot në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit të djathtë të kryesuar nga ajo vetë.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti ka qenë ai që ka bërë regjistrimin, ndërsa ka deklaruar se koalicioni është ndërtuar në përputhje me kodin dhe aktet që ka nxjerrë KQZ-ja.
“Sapo dorëzova kërkesën për regjistrimin e koalicionit Aleanca Pupullore për Punë dhe Dinjitet. Koalicioni përbëhet nga 15 parti. Jam përfaqësuesi ligjor i PD-së, si i tillë mund të them vetëm se koalicioni është ndërtuar në përputhje me kodin dhe aktet që ka nxjerrë KQZ. Komentet politike u takojnë përfaqësuesve të tjerë”, tha Kosovrasti.
Ora 18:00 e ditës së sotme shënon dhe skadimin e afatit ligjor për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të koalicioneve zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.
Një ditë më parë, KQZ iu rikujtoi partive politike se afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është data 22 prill 2015, ora 18:00.
Neni 65, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Dje, PS nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me partinë Demokracia Sociale, me të cilën është rënë dakord që të zbatohet fillimisht marrëveshja paraelektorale e 2013-s dhe më pas edhe bashkëpunimi për zgjedhjet e reja.
Po ashtu, një tjetër forcë opozitare, Partia Demokristiane, u rreshtua me koalicionin e majtë qeverisës, ndërsa aleati i tjetër i së majtës Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shpalli daljen vetëm në zgjedhje. Nga ana tjetër, për PS-në duket se është mbyllur mundësia për të pasur sërish në koalicion aleatët e saj të mëparshëm, si Partia Socialdemokrate dhe Partia Kristian Demokrate.