“Reja” mbërrin në Tiranë
Një nga veprat më të njohura të instilacionit të artit publik, “Reja”, ideuar nga artisti i mirënjohur japonez, Sou Fujimoto, po instalohet përpara Galerisë së Arteve në Tiranë dhe brenda pak muajsh do të shndërrohet në një ambient kulturor, me aktivitete të shumta për publikun.
Vepra e mirënjohur “Reja”, pasi ka qëndruar për disa kohë në Galerinë “Serpentine” në Londër, do të jetë e vizitueshme nga publiku kryeqytetas, e ndërthurur edhe me një kalendar të detajuar aktivitetesh nga Bashkia e kryeqytetit.
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ishte i pranishëm në ambientet e jashtme të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku kjo vepër sapo ka nisur të vendoset.
“Më vjen shumë mirë që në një ditë me re instalacioni që prezantojmë sot quhet reja dhe në fakt është një metaforë e motit, por mbi të gjitha është një kryevepër botërore, e cila transferohet në Tiranë. Ky instalacion është vendosur në Londër në vitin 2013 dhe është vizituar nga miliona persona. Në pamundësi për të dërguar Tiranën në Londër, po sjellim një pjesë të Londrës në Tiranë. Qëllimi ynë është që me këtë vepër të hapim një vit kalendarik, ku në hapësirat publike të Tiranës le të instalojmë vepra me rëndësi publike të artit modern. Unë besoj se artin publik e bën edhe publikun më të dashur e më civil. Tirana e ëndrrave tona do të jetë një qytet që në hapësirat e veta publike shumon artin modern”, tha Veliaj.