REPORTAZH – Rinia pariziane demonstron e qetë, por sfiduese nën syrin vigjilent të policisë
PARIS, 24 tetor /ATSH-AFP/ – “A keni kaq shumë frikë nga të rinjtë?”. Pankarta e mbajtur nga një protestues mund të përmblidhte atmosferën e sotme të marshimit parizian të të rinjve, një marrshim sfidues, i hareshëm dhe i vendosur, nën syrin vigjilent të policisë.
Sipas prefekturës së policisë, në protestë ndodheshin 110 000 persona, kryesisht studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve, nismëtarët e lëvizjes në fillim të shtatorit, të cilëve iu bashkuan jelekverdhët dhe anëtarët e sindikatave.
Kishte edhe burra të moshuar, që shoqëronin pjesëmarrësit më të rinj, nga frika e një ringjalljeje të dhunës dhe plaçkitjeve që tronditën kryeqytetin dhe të gjithë vendin të shtunën e kaluar.
Por, marshimi, i mbikëqyrur nga administratorët e sindikatave, deri më tani ka vazhduar pa incidente.
Ndryshimi i itinerarit i vendosur nga prefektura, duke e devijuar demonstratën e planifikuar fillimisht për qendrën e Parisit në periferi, nuk i dekurajoi protestuesit.
Përkundrazi.
Kur Rose, një studente masteri, një flokëkuqe me një të qeshur të përzemërt, pyetet pse erdhi, përgjigjja e saj është e menjëhershme, kur thotë “sepse Macron nuk do që unë të demonstroj. Dhe meqenëse nuk më pëlqen të më hiqen liritë themelore, jam këtu”.
Ka slogane të zakonshme si “ACAB (të gjithë policët janë bastardë)”, “siamo tutti antifasisti (ne jemi të gjithë antifashistë)”, por pankartat që mbahen janë më humoristike, madje edhe poetike.
Një banderolë e madhe e kuqe shpall “një dëshirë të dhunshme për lumturi”, një pankartë deklaron se “është errësirë në vendin e Iluminizmit”.
Të tjera citojnë Victor Hugo – “Duke dashur shumë rend, ne përfundojmë duke krijuar kaos” ose Tocqueville-n “Pasioni për barazi është i zjarrtë, i pangopur, i përjetshëm”.
Jo shumë larg, me helmetën fort në vend dhe jelekun e kuq mbi supe, 32-vjeçari Alexandre B. shikon procesionin.
Atmosfera nuk është aspak si tubimi i javës së kaluar, të cilin ai e përshkruan si një “zonë lufte”.
“Në fakt, këta të rinj po na mësojnë edhe një ose dy gjëra”, thotë Fleury Drieu, një mësuese në pension dhe anëtare sindikate, e cila erdhi për të demonstruar me vajzën e saj 15-vjeçare, “tashmë shumë e përfshirë” dhe me të cilën ka shumë “diskutime”.
Si shumë demonstrues, ajo është e shqetësuar për atmosferën në vend.
“Në një moment, ne gjithashtu duhet të dëgjojmë atë që njerëzit kanë për të thënë, se ata kanë pasur mjaft”, thotë ajo.
“Nuk është normale të kesh frikë të demonstrosh”, pajtohen Marius Huguenin dhe Emmanuel Mabo, studentë 18-vjeçarë të artit në ”Atelier de Sèvres”, të cilët po marshojnë për herë të parë.
Blandine, 21 vjeç, dhe motra e saj binjake Alice, nga ana e tyre, thonë se janë “të neveritura nga mungesa e konsideratës së Macron” për kërkesat e nxënësve të shkollave të mesme.
Zbatuesit e ligjit, të vendosur në masë, sekuestruan fishekzjarrë, syze mbrojtëse dhe bojë spraj në kryeqytet, sipas selisë së policisë së Parisit, e cila njoftoi 65 arrestime deri në fund të pasdites.
”Place de la République”, vendi ku u zhvilluan trazirat e dhunshme dhe plaçkitjet të shtunën e kaluar, u rrethua nga policia.
“A mendoni se kjo më kënaq mua, zonjë? Unë thjesht po bëj punën time”, i thotë një oficer policie një protestueseje./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.