Reporterët pa Kufij: Dhunë dhe intimidim ndaj gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri
Reporterët pa Kufij ngritën alarmin për dhunën dhe intimidimin ndaj gazetarëve gjatë protestave të ditëve të fundit në vend.
Reporterët pa Kufij (RSF) bën të ditur se dënojnë dhunën si dhe kërkojnë ndëshkimin e përgjegjësve, zbatimin e masave ekzistuese për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve, si dhe mbikëqyrjen parlamentare të reagimit të autoriteteve.
RSF ka dokumentuar 28 raportime për dhunë, intimidim dhe përpjekje për të penguar raportimin e lajmeve, që kanë prekur të paktën 23 profesionistë të medias. Të paktën 10 raste përfshinin përdorim të drejtpërdrejtë të forcës fizike ndaj të paktën 12 gazetarëve, përfshirë goditje me grushte e shkelma, shtyrje dhe detyrim për t’u larguar nga zonat ku po raportonin.
Disa gazetarë raportuan gjithashtu marrjen ose përpjekjet për t’u marrë telefonat, dëmtimin e pajisjeve të tyre të punës, si dhe lëndime të shkaktuara nga mjetet e policisë për kontrollin e turmave.
RSF tha se, përveç kërcënimeve të marra gjatë raportimit në terren, gazetarët përballen edhe me intimidimin nga kryeministri i Shqipërisë, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE). RSF ka sjellë si shembull ngjarjet e ndodhura më 18 tetor, kur kryeministri Edi Rama akuzoi pa bazë pronarin e News24 se po fabrikonte rrëfime për revoltën studentore me qëllim rrëzimin e qeverisë.
RSF i bëri thirrje kryeministrit Rama të ndalojë intimidimin e medias për raportimin e protestave, pasi ky është misioni i saj. Gjithashtu, i bëri thirrje Parlamentit shqiptar të shqyrtojë sjelljen e dhunshme të policisë, ndërsa BE-së i kërkoi të vlerësojë se si po zbatohen në praktikë angazhimet e vendit kandidat për lirinë e medias.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, shtyrë, ndaluar ose penguar në ndonjë mënyrë tjetër nga filmimi”, deklaroi Pavol Szalai, drejtori i Byrosë së RSF-së në Pragë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga RSF dhe organizatat e gazetarëve, më 18 tetor u raportuan disa raste dhune ndaj punonjësve të medias.
Fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga policia, ndërsa gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht. Gazetari i SYRI TV, Taulant Kopliku, deklaroi se një efektiv e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin, i cili iu kthye me pamjet e fshira.
Po ashtu, gazetari Marshi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty ndërsa raportonte drejtpërdrejt për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3. Gazetari Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani raportuan se ishin goditur nga efektivët e policisë.
Në listën e rasteve të raportuara përfshihet edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila u godit me gurë në një incident.
Agjencia Reuters raportoi gjithashtu se dy nga gazetarët e saj u goditën nga fishekë gome gjatë përleshjeve në Tiranë më 17 tetor.
Një tjetër rast i rëndë ishte ai i Izmir Akullit, kryeredaktorit të portalit Dosja.al, i cili u dërgua në spital pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij më 13 tetor, pranë Bankës së Shqipërisë. Sipas dëshmisë së publikuar prej tij, disa efektivë e goditën me grushte dhe shqelma ndërsa po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
Ndërkohë, mbrëmjen e 19 tetorit, gazetari i News24, Osman Stafa, dhe punonjës të tjerë të medias u penguan nga policia të ndiqnin dhe filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë.
Organizatat kërkuan hetime të pavarura për rastet e dhunës dhe pengimit të raportimit, si dhe një seancë të posaçme dëgjimore në Parlamentin shqiptar. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli janë raportuar incidente të tjera.
Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.