🌤️
Tiranë 23°C · Kryesisht kthjellët 20 Tetor 2026
S&P 500 7,691 ▲0.41%
DOW 51,966 ▼0.07%
NASDAQ 26,431 ▲1.11%
NAFTA 100.49 ▲1.98%
ARI 4,134 ▼0.63%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8425 EUR/CHF 0.9269 EUR/ALL 91.1227 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4339 EUR/TRY 55.6156 EUR/JPY 177.71 EUR/CAD 1.5813 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8425 EUR/CHF 0.9269 EUR/ALL 91.1227 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4339 EUR/TRY 55.6156 EUR/JPY 177.71 EUR/CAD 1.5813
₿ CRYPTO
BTC $81,563 ▼ -1.25% ETH $2,393 ▼ -1.38% XRP $1.2988 ▼ -0.94% SOL $104.4200 ▼ -0.94%
S&P 500 7,691 ▲0.41 % DOW 51,966 ▼0.07 % NASDAQ 26,431 ▲1.11 % NAFTA 100.49 ▲1.98 % ARI 4,134 ▼0.63 % S&P 500 7,691 ▲0.41 % DOW 51,966 ▼0.07 % NASDAQ 26,431 ▲1.11 % NAFTA 100.49 ▲1.98 % ARI 4,134 ▼0.63 %
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8425 EUR/CHF 0.9269 EUR/ALL 91.1227 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4339 EUR/TRY 55.6156 EUR/JPY 177.71 EUR/CAD 1.5813 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8425 EUR/CHF 0.9269 EUR/ALL 91.1227 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4339 EUR/TRY 55.6156 EUR/JPY 177.71 EUR/CAD 1.5813
20 Tet 2026
Breaking
Opinion

Republika e ndershmërisë

Tregim

Nga THOMA GËLLÇI

Në kryeqytetin e një republike që nuk po ia përmend emrin, sepse lexuesi lehtësisht mund ta marrë me mend, kishte shpërthyer një protestë e madhe. Sheshi ishte mbushur me punëtorë, studentë, pensionistë dhe njerëz që qeveria i quante të papunë kur u kërkonte taksat dhe kriminelë kur i shihte të mbledhur bashkë. Kishin ardhur me pankarta, shishe uji dhe bindjen e vjetër se një qeveri mund të të dëgjonte po t’i shkoje poshtë dritares.

Qeveria i dëgjoi fare mirë. Prandaj urdhëroi që protesta të shtypej.

Policëve të vijës së parë iu premtuan nga dy mijë e pesëqind euro. Kryeministri e njoftoi vetë. Shuma u shqiptua ngadalë, që të kuptohej edhe përmes helmetave.

Deri në mesnatë, sheshi u zbraz. Mbetën këpucë të humbura, kartonë të shkelur, një palë syze pranë trotuarit dhe re gazi që endeshin rrugicave, duke ua çuar mesazhin e qeverisë edhe qytetarëve që kishin qëndruar në shtëpi. Në televizion u shfaqën burra që godisnin njerëz të rrëzuar, një vajzë e tërhequr për flokësh dhe një djalë me çantën e shkollës ende në shpinë. Folësi tha se rendi ishte rivendosur. Duke gjykuar nga pamjet, rendi ndodhej përtokë dhe disa policë po kujdeseshin që të mos ngrihej.

Por risia e asaj dite ishte ndershmëria financiare.

Për herë të parë, qeveria pranonte hapur se i paguante ekstra bandat e veta. Më parë kishte mohuar çdo shpenzim të kësaj natyre. Gjatë zgjedhjeve ishin parë burra me makina pa targa, zarfe që ndërronin duar pas magazinave dhe ndërmjetës që mbanin lista familjesh më të sakta se gjendja civile. Qeveria nuk kishte ditur kurrë gjë.

Tani shuma ishte publike. Shërbimi ishte filmuar. Për herë të parë, buxheti dhe lajmet e mbrëmjes përputheshin. Pas kaq vitesh shpenzimesh që të gjithë i njihnin, por askush nuk i pranonte, ky mund të quhej një hap përpara: tani, të paktën, dihej sa kushtonin.

Njoftimi pati aq sukses brenda qeverisë, sa u vendos që ndershmëria të shtrihej në të gjithë administratën.

U krijua Ministria e Transparencës. Për seli iu dha një ndërtesë me xhama të errët, pronë e gruas së ministrit të ri. Qiraja u botua menjëherë në internet dhe u përshëndet si prova e parë e reformës.

Çdo institucion mori urdhër të deklaronte me shkrim çfarë i kishte bërë popullit dhe sa kishte paguar për ta bërë. Nëpunësit u zunë në vështirësi, sepse deri atëherë mjeshtëria e tyre kishte qëndruar te hartimi i dokumenteve prej të cilave të mos merrej vesh asgjë. Disa drejtorë kërkuan trajnim. Të tjerë kërkuan pension të parakohshëm. Njëri dorëzoi të njëjtin raport bosh që kishte dorëzuar prej njëmbëdhjetë vjetësh dhe u shkarkua për pengim të transparencës.

Portali i ri u quajt “Paratë tuaja në veprim”. Në krye kishte një fotografi nga sheshi: gjashtë policë që godisnin me shkopinj gome dhe shqelma një qytetar. Poshtë saj shkruhej: “Investojmë te njeriu”.

Portali doli më i dobishëm se gazeta, sepse aty gënjeshtrat kishin edhe numër protokolli.

Dosja e zgjedhjeve shkaktoi trazirat e para. Ajo përmbante shpenzimet për blerje votash, shpërndarje mielli, frikësim votuesish, premtime emërimesh për militantët dhe darka pajtimi midis bosëve të krimit dhe shefave të policisë.

Dokumentacioni ishte mbajtur me një përpikëri të admirueshme. Në një vend ku spitalet humbnin kartelat dhe gjykatat dosjet, askujt nuk i kishte humbur shënimi se kujt i ishin dhënë pesëdhjetë euro për votën e familjes.

Publikimi i tarifave zemëroi sidomos një fshat që kishte votuar për qeverinë që nga themelimi i saj. Fshati kishte marrë gjysmën e shumës së dhënë një fshati tjetër në krahinën fqinje. Banorët dërguan në kryeqytet një delegacion prej pesë vetash, të gjithë burra besnikë, me këpucë të lustruara dhe fotografi të kryeministrit në telefon.

U shpjegua se fshati tjetër kishte qenë më i vështirë për t’u bindur.

Delegacioni u kthye i heshtur. Të nesërmen, në fshat u hap dega e opozitës. Qeveria e vlerësoi shqetësimin e banorëve dhe dërgoi menjëherë një negociator.

Më në fund, konkurrenca kishte filluar të sillte përfitime për konsumatorin.

Pastaj u publikuan pagesat për analistët.

Kjo dosje ishte më e ndërlikuar, sepse disa paguheshin për të folur, disa për të heshtur dhe disa për të krijuar aq zhurmë, sa publiku të mos dallonte dot kush po bënte njërën e kush tjetrën.

Një profesor kishte shpjeguar për vite se çdo protestë dëmtonte imazhin e vendit. Sipas faturave, imazhi përmirësohej sapo paratë kalonin në llogarinë e tij. Një ekonomist kishte provuar se largimi i të rinjve ulte papunësinë. Një ekspert sigurie, i cili nuk kishte kapur kurrë as hajdutin e biçikletës së vet, kishte identifikuar në turmë disa organizata ndërkombëtare nga mënyra si mbanin çadrat.

Më i paguari ishte një specialist kushtetues. Ai kishte arritur të gjente në Kushtetutë të drejtën e qeverisë për të mos e zbatuar atë. Kjo kërkonte dije të thella dhe njëfarë guximi ndaj kuptimit të fjalëve. Më pak paguheshin analisti i gjyshes veneciane dhe një bashkëpatriot i tij. U shpjegua se zelli i tyre vinte nga mungesa e karakterit dhe jo nga paratë që merrnin.

Televizionet u detyruan ta shfaqnin pagesën poshtë emrit të secilit të ftuar. Kështu publiku mund ta ndiqte debatin me më shumë kuptim. Kur një analist skuqej, godiste tryezën dhe shpallte se kombi ishte në rrezik, poshtë tij shfaqej shifra përkatëse. Qytetarët filluan të krahasonin çmimet. Një pensionist shkroi se e njëjta mbrojtje e qeverisë të martën kishte kushtuar më pak në një kanal tjetër.

Një mëngjes shkova në ministri për të parë arkivin.

Në holl kishte një makineri që jepte numra. Qytetarët prisnin në tri radhë: për dëmet që kishin pësuar, për paratë që u ishin marrë dhe për vërtetime se nuk kishin përfituar asgjë. Radha e tretë ishte më e gjata, sepse ky vërtetim kërkohej tani për ndihmën ekonomike.

Në katin sipër pritnin burra të veshur mirë, disa me syze të zeza mbi kokë. Ishin ish-punonjës të zgjedhjeve që kërkonin njohjen e vjetërsisë. Njëri kishte ruajtur qendra votimi, shoqëruar kuti dhe bindur familje për gati njëzet vjet. Tani zbulonte se partia nuk i kishte paguar sigurimet.

Kjo e kishte tronditur thellë. Ai kishte mundur të duronte shumë padrejtësi, për sa kohë kishte qenë i ngarkuar t’ua bënte të tjerëve.

Në zyrën e ankesave pashë një burrë me krahun në allçi. Kishte ardhur të kundërshtonte raportin e policisë, ku figuronin dy punonjës që kishin ndërhyrë ndaj tij. Ai këmbëngulte se kishin qenë pesë dhe i njihte të gjithë.

Nëpunësja e falënderoi. Dëshmia e tij do të ndihmonte që edhe tre të tjerëve t’u jepej shpërblimi.

Brenda pak muajsh, qeveria kishte pranuar pothuajse gjithçka.

Ministri i Rrugëve publikoi tenderët e kunatit, bashkë me fotografitë e çarjeve. Ministri i Shëndetësisë tregoi sa ishin paguar aparaturat që nuk ishin dorëzuar. Ministri i Arsimit botoi listën e shkollave të rikonstruktuara vetëm në letër. Raporti i tij u shtyp në letër shumë të mirë.

Gazetat nuk arrinin t’i botonin të gjitha zbulimet. Ato që dikur do të kishin qenë skandali i vitit tani shtyheshin në faqen e nëntë, pranë parashikimit të motit. Njerëzit lexonin, shanin dhe shkonin në punë. Disa filluan ta lavdëronin qeverinë për sinqeritetin. Ishin lodhur aq shumë duke provuar se po u vidhnin, sa pranimi u dukej pothuajse si kthim parash.

Parlamenti miratoi një shtesë ligjore sipas së cilës dokumentet e transparencës shërbenin për informimin e publikut dhe nuk mund të përdoreshin për t’i shkaktuar pasoja autoritetit që kishte pasur mirësinë t’i publikonte.

Ligji u miratua natën dhe u botua në mëngjes. Askush nuk mund të ankohej se ishte mbajtur i fshehtë.

Për përvjetorin e reformës u organizua një ceremoni në të njëjtin shesh ku kishte nisur gjithçka. U shtrua tapet, u vendosën lule dhe u ngrit një ekran gjigant. Qytetarët qëndronin pas gardheve, në largësinë e duhur për t’u quajtur pjesëmarrës.

Kryeministri renditi të gjitha ato që qeveria kishte pranuar. Sa më e rëndë bëhej lista, aq më të forta ishin duartrokitjet.

Pranë meje, një burrë i dobët, që mbante të palosur në xhep një kopje të raportit për pensionet, pyeti me zë të lartë kur do të ktheheshin paratë, që të mund të rriteshin pensionet.

— Ne ju premtuam se do t’ju thoshim të vërtetën, — tha kryeministri. — Ju lutem të mos na ngarkoni me premtime që nuk i kemi bërë.

Dy policë u afruan ta largonin burrin. Pastaj erdhën edhe dy të tjerë. Të dyja grupet filluan të grindeshin se kujt i takonte ta largonte ngatërrestarin nga sheshi. Plasi grushti midis katër policëve, ndërsa në përleshje u fut edhe një grup i tretë prej katër vetash. Në rrëmujën e krijuar i futa krahun burrit që priste të rrihej dhe e tërhoqa drejt rrugës. U larguam duke i lënë policët t’i binin njëri-tjetrit në përpjekje për të fituar 2500 eurot e premtuara.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.