Reuters: Franca kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rivlerësim në vitin 2020
‘Negociatat nuk mund të hapen në Tetor të 2019, por ne do të duhet të rivlerësojmë situatën në vitin 2020’- shtoi zyrtari francez.
“Franca është shprehur kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për Reuters, duke hedhur një hije mbi ambicien e vendeve për t’u integruar me Perëndimin”.
Më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet e Ballkanit për reformat duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit. Ministrat e BE do të diskutojnë çështjen përsëri në Luksemburg të martën para se liderët të takohen në Bruksel për një samit në 17-18 tetor.
“Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim,”-theksoi një diplomat i një prej vendeve që është e gatshme të hapë dyert për vendet kandidate në Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen. ”
Burimet thanë për “Reuters” se Holanda dhe Danimarka janë gjithashtu të pozicionuar qartë kundër ofertës së Shqipërisë kur ambasadorët e BE diskutuan çështjen prapa dyerve të mbyllura në Bruksel të enjten, megjithëse hollandezët kanë sinjalizuar fleksibilitet të mundshëm për Maqedoninë e Veriut.