Revista britanike: Shqipëria, destinacioni që po tërheq gjithnjë e më shumë të famshëm
– Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion turistik i përballueshëm në Evropë, ndërsa emra të njohur të botës së muzikës dhe seriale televizive po zgjedhin bregdetin shqiptar për pushime dhe xhirime.
Këtë herë, Shqipëria është në qendër të vëmendjes së revistës britanike, “HELLO!”, ku gazetarja dhe ekspertja e udhëtimeve, Heidi Fuller-Love tregon përvojat e saj, pas disa vizitave në vend dhe sugjeron disa mënyra për ta eksploruar atë me një buxhet më të ulët.
Artikulli nis me shembullin e këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila ka publikuar fotografi nga pushimet e saj në Shqipëri, si dhe me ekipin e reality show britanik, TOWIE ose “The Only Way Is Essex”, i transmetuar që nga viti 2010, që kreu xhirime në vend gjatë muajit qershor.
Po ashtu, artikulli përmend edhe planin e kompanisë së njohur ndërkombëtare të restoranteve dhe bareve luksoze bregdetare,“Nammos” nga Mikonosi, për të hapur një degë në Shqipëri.
Sipas autores, Shqipëria është një alternativë interesante për turistët që kërkojnë plazhe të bukura, jetë nate, qytete historike dhe fshatra tradicionalë, pa shpenzuar aq shumë sa në disa prej destinacioneve të tjera të njohura evropiane.
Tirana, jetë nate dhe çmime më të përballueshme
Autorja e përshkruan Tiranën si një qytet të gjallë, me shumë mundësi për argëtim, ushqim dhe akomodim.
Ajo tregon se gjatë vizitave të saj në kryeqytet ka qëndruar në Xheko Imperial, një hotel pranë zonës së Bllokut.
Sipas saj, hoteli ka një pamje elegante, me elemente druri, vepra arti dhe mermer, ndërsa çmimi i një dhome është rreth 103 paundë për natë.
Një tjetër alternativë që përmendet është The Crown, një ndërtesë rreth 100-vjeçare ku, sipas artikullit, ka jetuar dikur motra e Mbretit Zog.
Të dyja strukturat ndodhen pranë Bllokut, një zonë që gjatë regjimit komunist, ishte e rezervuar për elitën politike, ndërsa sot është një nga qendrat kryesore të jetës së natës në Tiranë.
Autorja përmend disa prej bareve dhe bizneseve që mund të vizitohen në këtë zonë, mes tyre Radio Bar, Nouvelle Vague, si dhe butikët Perla dhe Pirro.
Për ata që kërkojnë çmime më të ulëta dhe duan të shohin një pjesë më të përditshme të jetës së Tiranës, ajo sugjeron edhe Pazarin e Medresesë, në rrugën “5 Maji”.
Bunkerët, një pjesë e veçantë e historisë shqiptare
Një tjetër pjesë e udhëtimit është historia e bunkerëve të ndërtuar gjatë regjimit komunist.
Autorja shkruan se në Shqipëri u ndërtuan rreth 750 mijë bunkerë gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës.
Sot, këto struktura gjenden në shumë zona të vendit dhe janë kthyer në një element të veçantë të trashëgimisë historike shqiptare.
Në Tiranë, artikulli rekomandon vizitën në Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, ku përmes fotografive, dokumenteve dhe objekteve të ndryshme, tregohet jeta në Shqipëri gjatë periudhës komuniste.
Për një përvojë ndryshe, autorja përmend edhe Bunker 1944, një bar-restorant me atmosferë të frymëzuar nga vitet 1940, si dhe War Bunker Hostel në Sarandë, ku vizitorët mund të qëndrojnë në një bunker të Luftës së Ftohtë.
Kruja, Berati dhe Gjirokastra
Përtej Tiranës dhe bregdetit, autorja rekomandon edhe qytetet historike të Shqipërisë.
Kruja, rreth një orë larg Tiranës, karakterizohet nga rrugët me kalldrëm, pazarin tradicional dhe punimet artizanale.
Sipas autores, vizitorët mund të gjejnë aty punime argjendi dhe qilima tradicionalë prej leshi.
Më në jug ndodhet Berati, qyteti i mbrojtur nga UNESCO dhe i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”.
Shtëpitë tradicionale të bardha, të vendosura në shpatin e kodrës, i japin qytetit pamjen karakteristike.
Artikulli sugjeron vizitën në Kalanë e Beratit, kishat, xhamitë dhe muzetë, si dhe provimin e gatimeve tradicionale.
Ndër to veçohet tava e kosit, një prej specialiteteve më të njohura shqiptare.
Edhe Gjirokastra, një tjetër qytet i mbrojtur nga UNESCO, përshkruhet si një destinacion që ia vlen të vizitohet.
Autorja veçon pazarin e vjetër, kalanë dhe tunelet e periudhës së Luftës së Ftohtë.
Për t’u provuar në Gjirokastër ajo sugjeron qifqinë, një gatim tradicional me bazë orizin dhe erëzat.
Riviera Shqiptare, nga Vlora në Ksamil
Pjesën më të madhe të artikullit e zë Riviera Shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregdetit nga Vlora drejt jugut, deri në Ksamil.
Autorja e përshkruan Rivierën si një zonë me plazhe të shumta dhe ujëra të kaltër, ku turistët mund të gjejnë si ambiente të qeta, ashtu edhe vende për jetë nate.
Ndër strukturat e akomodimit përmendet Drymades Inn Resort, ku sipas artikullit qëndroi ekipi i TOWIE gjatë xhirimeve në qershor.
Në jug përmendet edhe Kep Merli, një strukturë private, ku Dua Lipa qëndroi për pushime.
Ksamili dhe Dhërmiu në vëmendjen e turistëve
Ksamili veçohet si një nga destinacionet më të bukura të Rivierës dhe në artikull përshkruhet si “Maldivet e Evropës”.
Autorja e lidh këtë me rërën e bardhë, ujërat e kaltër dhe ishujt e vegjël pranë bregut.
Dhërmiu, nga ana tjetër, përmendet për klubet dhe jetën e natës.
Mes tyre veçohet Havana Beach Club, i cili sipas artikullit është një nga vendet e preferuara të ekipit të TOWIE.
Për turistët që kërkojnë më shumë qetësi, autorja sugjeron Nazar Beach në Palasë, duke e lidhur këtë zgjedhje edhe me preferencën e Dua Lipës për ambiente më të qeta.
Bujtinat shqiptare, një tjetër mënyrë për të zbuluar vendin
Në fund të artikullit, autorja ndalet te bujtinat shqiptare, të cilat i përshkruan si një mënyrë të mirë, për të kombinuar akomodimin me përvojën e kuzhinës dhe traditave vendase.
Një prej të preferuarave të saj është Mrizi i Zanave, i njohur për restorantin që përdor produkte vendase.
Bujtina ndodhet pranë Lagunës së Patokut, një zonë bregdetare ku mund të shihen edhe pelikane dalmatë.
Për adhuruesit e natyrës, autorja rekomandon gjithashtu Bujtinën Kapinova, ku vizitorët qëndrojnë në kabina prej druri të ndërtuara në stil alpin.
Bujtina ndodhet pranë një pishine dhe ofron pamje drejt peizazhit të Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit.
Në përfundim, artikulli e paraqet Shqipërinë si një destinacion që ndërthur plazhet, historinë, natyrën, kuzhinën dhe jetën e natës, duke vënë në dukje edhe mundësitë për të udhëtuar me një buxhet më të përballueshëm krahasuar me disa destinacione të tjera të njohura evropiane. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.