“Rinasi”, arrestohet i gjashti. Ragip Hajdini nga Kosova u prangos në Kavajë
Ka shkuar në 6 numri i të arrestuarve për grabitjen e Rinasit. I dyshuari i radhës është Ragip Hajdini, nga Kosova, i cili është prangosur në Kavajë për dyshimet se është njëri nga bashkëpunëtorët e kësaj ngjarjeje të bujshme. Ai u përshkrua nga Alkond Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.
Për grabitësin e vrarë, Admir Murataj, në vendim thuhet se i është gjetur një granatë dore e montuar me ndezës, granata tymuese, automatik me fishekë në fole dhe një aparat që shërbente për bllokimin e valëve.
Por, i pari që është identifikuar si i dyshuar është Alkond Bengasi, i cili është tradhtuar nga një gjurmë gishti e zbuluar në mjetin “Chevrolet”, ashtu siç Top Channel ka raportuar më herët. Bengasi tregon se ishte pyetur nga policia për vrasjen e avokatit Ravik Gurra, e më pas Klementi i kishte shkuar në shtëpi. Duke e paralajmëruar të bënte kujdes, se mos policia i vendoste përgjues, Klementi i ka thënë: Do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë!
“Vetëm pas grabitjes – shprehet Bengasi, – unë kuptova se në këtë ngjarje kishin marrë pjesë Admir Murataj dhe Klement Çala”. I dyshuari shpjegon se menjëherë pas ngjarjes kishte fikur telefonin, pasi kishte frikë.
Prokuroria shpjegon se, gjatë hetimit për njohje personash me fotografi, ai ka identifikuar përmes fotove të dyshuarit e tjerë që ishin gjendur në drekën te “Shkëmbi i Kavajës”. Dy prej tyre, të arrestuar më pas, në përgjimin ambiental në polici diskutojnë me njëri-tjetrin:
Saimir Çela: Çfarë tersi, e dija.
Renaldo Sula: E kanë marrë vesh ata? Qysh t’ia bëjmë?
Saimir Çela: Mos thuaj gjë.
Bengasi tregon se, të kërkuarin Klement Çala e ka kushëri dhe se, pas arratisjes nga Greqia, edhe pse i shumëkërkuar, ai së bashku me Admir Muratajn kishin hapur një restorant te “Liqeni i Thatë”, një zonë në të cilën ishte shpërngulur edhe vet i dyshuari, pak muaj para se të ndodhte sulmi në aeroport.
Top Channel