Bota

Rindizet tensioni në Jemen, SHBA paralajmëron Iranin

Arabia Saudite rifillon sulmet kundër rebelëve Huthi, pas avancimit të përkohshëm të tyre

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka bombarduar rebelët Huthi në qytetin Taiz të Jemenit, vetëm disa orë pasi ka njoftuar fundin e fushatës ushtarake kundër tyre. Sulmet kanë pasuar rënien e një baze të ushtrisë, jashtë Taizit, në duart e rebelëve. Luftime janë raportuar edhe në qytetet Aden dhe Daleh. Të martën, Riadi ka deklaruar se fushata njëmujore ka arritur qëllimet e tij, por ka paralajmëruar se do të vazhdojë aksionet kundër rebelëve Huthi sipas nevojës. Kombet e Bashkuara thonë se së paku 944 njerëz janë vrarë dhe 3,487 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore, luftimet në terren dhe sulmet e militantëve xhihadistë në Jemen, qysh më 19 mars. Ndërkaq, Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se qeveria amerikane e ka paralajmëruar Iranin kundër dërgimit të armatimit në Jemen që do të mund të përdorej kundër trafikut ujor në rajon. “Ne kemi qenë shumë të drejtpërdrejt me ta”, ka thënë Obama gjatë intervistës për televizionin amerikan, MSNBC. Këto komente Obama i bëri pas raportimeve se anije iraniane mund të ishin rrugës për t’u dërguar armatim rebelëve shiitë në Jemen. Shtëpia e Bardhë ka thënë se anijet amerikane që bartin aeroplanë luftarakë janë nisur drejt ujërave të bregdetit jemenas për të siguruar transportin ujor në Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq. Më parë ishte njoftuar se kryengritësit Huthi kishin marrë sërish nën kontroll Taizin, qyteti i tretë për nga madhësia i Jemenit, ndërsa vazhdonin luftimet në terren si atje, ashtu dhe në qytetin portual të Adenit, në jug të vendit. Pak pas marrjes së bazës, që mbrohej nga forcat besnike të Presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi, zona u godit nga një sulm ajror. Arabia Saudite, sipas “Zërit të Amerikës” kishte shpallur përfundimin e sulmeve njëmujore nga ajri, të cilat synonin frenimin e kryengritësve Huthi, por iu desh më pas të rifillonte, pasi kishte bërë më parë të ditur se do vazhdonte të mbetej e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit, duke përfshinë këtu edhe veprimet për të penguar rebelët të shtien në dorë armë nga ushtria jemenase. Sauditët i dhanë përparësi edhe rifillimit të bisedimeve, të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për Jemenin. Në një fjalim televiziv nga Arabia Saudite, Hadi tha se kriza në vendin e tij do të përfundojë “së shpejti” dhe falënderoi koalicionin e udhëhequr nga sauditët, duke shtuar se qeveria e tij do të rikthejë shpresën te qytetarët e Jemenit.

BE dhe Gazprom, akuza të ndërsjella për monopolin

Kompania shtetërore ruse e gazit, Gazporm, e ka hedhur poshtë akuzën e Bashkimit Europian se është duke abuzuar me pozitën dominuese të saj në treg, duke thënë se akuzat europiane janë të “pabaza”. Përmes një komunikate, Gazprom ka thënë se ata “u përmbahen në mënyrë strikte të gjitha normave të ligjit ndërkombëtar dhe ligjit kombëtar” në vendet ku operon. Reagimi është bërë disa orë pasi rregullatorë kundër monopolit në BE e kanë akuzuar Gazpromin për praktika jo të drejta të tregut në tetë vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Komisionerja europiane kundër monopolit, Margrethe Vestager, përmes një komunikate të sotme kishte thënë se Gazpromi ka ndërtuar pengesa artificiale që pamundëson qarkullimin e gazit nga disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore te disa vende të tjera.

Qëndrimi i SHBA për ngjarjet e 1915, irriton armenët

Shtëpia e Bardhë e ka shmangur përdorimin e termit “gjenocid” për të përshkruar masakrën e armenëve etnikë në Perandorinë Osmane, dy ditë para se të shënohet 100-vjetori i kësaj tragjedie. Përmes një komunikate, Shtëpia e Bardhë ka thënë dje se shefi i kabinetit, Denis McDonough dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë, Ben Rhodes, janë takuar me liderët e armenëve amerikanë, me të cilët është diskutuar rëndësia e nderimit të 1.5 milionë jetëve të humbura gjatë asaj periudhe të tmerrshme. Mospërdorimi i termit gjenocid ka zemëruar armenët e Amerikës. Vrasja dhe deportimi i 1.5 milionë armenëve nga Perandoria Osmane në vitin 1915 nga shumë historianë dhe disa shtete konsiderohet si gjenocid. Turqia e kundërshton këtë duke thënë se shumë më pak armenë kanë vdekur sesa thuhet dhe se ajo ishte një fatkeqësi me humbje për të dyja palët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button