Ekonomia

Rishikimi i buxhetit 2016, të ardhurat dhe shpenzimet që reduktohen

Buxheti i vitit 2016 u rishikua me një sërë shpenzimesh të reduktuara e po ashtu dhe të ardhura. I zyrtarizuar ndryshimi nëpërmjet një akti normativ, Ministria e Financave ka dhënë dhe argumentet përkatëse se cilat do të jenë reduktimet e të ardhurave prej 4.4 miliardë lekë dhe ulja e shpenzimeve prej 3.1 miliardë lekë.

4.4 miliardë lekë më pak të ardhura

Në vendimin e fundit qeveria ka shkurtuar me 4.4 miliardë lekë të ardhurat e përgjithshme, nëpërmjet:

– Mbajtjes së pandryshuar të nivelit të planifikuar të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, bazuar kjo në performancën e mirë të këtyre administratave, në drejtim të mbledhjes së të ardhurave në zërat përkatës.

-Reduktimit të të ardhurave të pushtetit vendor në masën 2 miliardë lekë, përkatësisht 300 milionë lekë taksa mbi pasurinë dhe 1.7 miliardë lekë taksa vendore.

-Rritjes së nivelit të të ardhurave të fondit për kompensimin e ish-pronarëve me 600 milionë lekë të, bazuar në performancën e kënaqshme të ALUIZNI-t në procesin e legalizimeve.

-Reflektimit te të ardhurat jo-tatimore të shtesës prej 1.5 miliardë lekësh, si rezultat i shitjes së frekuencës së kompanisë Vodafone. Si dhe të reduktimit me 4 miliardë lekë të zërit të dividendit, si pasojë e mosderdhjes së tij në nivelet e parashikuara.

Shpenzimet e reduktuara

Po kështu përmes këtij aktit qeveria ka reduktuar me 3.1 miliardë lekë shpenzimet e përgjithshme, nëpërmjet:

– Reduktimit të zërit “shpenzime personeli” me 1 miliard lekë, si pasojë e mosplotësimit të strukturave organike të institucioneve buxhetore me vendet vakante të parashikuara për 6-mujorin e parë 2016.

– Rialokimit të shpenzimeve operative dhe mirëmbajtje, si rrjedhojë e performancës së ulët të institucioneve buxhetore për këtë zë, gjatë 6-mujorit të parë 2016, që është rezultante e shkurtimit të shpenzimeve, kryesisht administrative, në masën 500 milionë lekë dhe rritjes së shpenzimeve të mirëmbajtjes së rrugëve në masën 200 milionë lekë (emergjencat e shkaktuara nga përmbytjet, rrëshqitjet etj.)

-Reduktimit të shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 1.2 miliardë lekë, përkatësisht: 500 milionë lekë si pasojë e kursimit në fondin e parashikuar për indeksimin e pensioneve dhe 700 milionë lekë nga kursimet e  skemës bazë.

– Shtimit me 600 milionë lekë të Fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar nivelin minimal të tij në fund të 6-mujorit të parë 2016, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti.

– Shtimit me 200 milionë lekë të fondit kontigjencë, kryesisht për përballimin e vendimeve gjyqësore ndërkombëtare. Nga shuma prej 2 miliardë lekësh parashikuar në fillim të vitit, rreth 1 miliard lekë ishin parashikuar për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Aktualisht janë përdorur rreth 200 milionë lekë, ndërkohë që ka disa vendime të miratuara tashmë të Gjykatës së Strasburgut.

-Rialokimit të shpenzimeve kapitale, përkatësisht përmes kalimit të një fondi në masën 3.5 miliardë lekë te projektet me financim të brendshëm nga ato me financim të huaj, bazuar në performancën e ulët të këtyre të fundit. Si dhe alokimit të një fondi në masën 1.3 miliardë lekë për projektet me financim të brendshëm, i cili përkon me 50% të fondit të privatizimit të INSIG sh.a dhe privatizimeve të tjera. Pjesa e mbetur prej 50% e po këtij fondi, shkon për reduktimin e deficitit buxhetor.

-Reduktimit të huamarrjes nga sektori energjetik me 300 milionë lekë, që përfaqëson pjesën e papërdorur të huas së dhënë nga buxheti vitin e kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button